Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

MAPL do ta shqyrtojë vendimin e kryetarit të Gjilanit për shkurtimin e orarit të punës për zyrtarët që agjërojnë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nxjerrë vendim që për muajin e Ramazanit, të gjithë zyrtarët që agjërojnë të punojnë një orë më pak.

Ky vendim do të shikohet sa i përket anës ligjore nga Ministria Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL).

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com ministri Elbert Krasniqi.

“Po, sigurisht [do të shikohet]”- ka thënë Krasniqi pa dhënë detaje tjera lidhur më këtë vendim.

Vendimi i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për zvogëlimin e orarit të punës për një orë për zyrtarët që agjërojnë është arsyetuar si ‘lehtësirë’ nga këshilltari për media, Besart Selimi.

Në një prononcim për KALLXO.com, Selimi ka thënë se një vendim i tillë ka qenë iniciativë vetë kryetarit dhe jo ndonjë kërkesë nga ndonjë drejtori.

“Nuk është ndryshim i orarit por vetëm lehtësirë për një orë duke e pasur parasysh vështirësinë e agjërimit e orarit të hershëm të syfyrit. Kjo është një praktikë që është praktiku edhe vitin e kaluar dhe po besoj që praktikohet edhe në shumë institucione të tjera” – tha ai.

Vendimi ka hyrë në fuqi nga data 24 mars, dhe do të jetë në fuqi deri më 20 prill.

Vendimi i kryetarit Hyseni në Gjilan – 1 orë më pak punë për ata që agjërojnë