Protesta e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës. FOTO: Ramush Haradinaj/Facebook.

Kur pritet të mbahet takimi i kryeministrit Kurti me Njësinë Speciale Intervenuese, flasin nga Qeveria

7 nëntor ishte dita kur ishte planifikuar të mbahej protesta e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, mirëpo kjo protestë u pezullua pak para orës që ishte planifikuar të mbahej.

E kjo kishte ndodhur pas një takimi që kishte pasur drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, me pjesëtarët që pritej të protestonin.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi për pezullim të protestës erdhi pas një premtimi që kryeministri Albin Kurti kishte bërë.

Kurti kishte premtuar se do të takojë këto njësi speciale në një takim zyrtar.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se takimi do të mbahet këtë javë.

“Takimi është paraparë për këtë javë dhe këtë javë do të mbahet. Kryeministri tashmë ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë e tij. Tani është vetëm çështje e agjendës” – ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

I njëjti ka thënë se për çdo detaj shtesë mediat e publiku do të njoftohen me kohë.

Protesta e paralajmëruar e 7 nëntorit e NJSI-së dhe NJTME-së ishte për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.

Një protestë e FIT dhe NJTME u mbajt më 1 nëntor para Qeverisë së Kosovës.

Të rreshtuar dhjetëra pjesëtarë të këtyre dy njësive protestuan duke kërkuar që të respektohen kërkesat e tyre.

Njëri nga pjesëtarët e njësitit FIT përmes një deklarimi para mediave ka treguar se çka po kërkojnë nga Qeveria.

I njëjti tha se kërkojnë nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që propozimin për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikojnë edhe një herë.

Kërkesat e këtij njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.

“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe nuk përfaqësohemi nga askush. Kërkojmë mirëkuptim dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka që 10 vite që kemi marrë premtime për benefite të cilat na takojnë, mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar”- është thënë në protestë.

“Fillimisht mospërmbushja e kërkesave tona ka qenë mungesa e Ligjit të pagave, mirëpo edhe 9 muaj pas miratimit të këtij Ligji nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesë e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra”.

Kjo Njësi ka ftuar kryeministrin dhe Qeverinë që të marrin hapa konkretë për realizimin e kërkesave, që i kanë quajtur legjitime.

Pas kësaj kërkese ishte ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla por edhe Kurti që reaguan e thanë se pjesëtarë të këtyre njësive që protestuan më 1 nëntor morën të ardhura financiare gjatë këtij viti mbi 2 mijë euro.

KALLXO.com pati raportuar se paga bazë e një pjesëtari të Njësisë Speciale Intervenuese është 631 euro ndërsa deri te shifra mbi 2 mijë euro erdhi si pasojë e orëve shtesë të cilat kishin punuar të njëjtit pas zhvillimeve që kishin ndodhur në veri të vendit.

Pezullohet protesta e paralajmëruar e Njësisë Intervenuese, Kurti pritet t’i takojë javën e ardhshme

www.kallxo.com