Kundërpërgjigjja e Thaçit, e pret William Walkerin në zyrë

Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në zyrë ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker.

Në këtë takim ata kanë diskutuar për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës si dhe kanë kujtuar krimet serbe të kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gjatë javës së kaluar kanë qarkulluar video në internet ku  William Walker shihej duke mos ia dhënë dorën Thaçit, në ditën e përvjetorit të 21-të  të masakrës së Reçakut.

Ambasadori William Walker në një video që po qarkullon në rrjetet sociale shihet duke biseduar me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, por nuk ia zgjat dorën presidentit kur ky deshi ta përshëndeste.

Pamje të tjera të publikuara më vonë kanë sqaruar situatën ku Walker e Thaçi përqafohen.

“Në këtë të diel, me ambasadorin William Walker evokuam kujtime nga periudha e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Heroi i të vërtetës për krimet serbe në Kosovë, ambasadori Walker e ngriti krimin në Reçak në rang të ndërgjegjes botërore. Pas Reçakut, diplomacia botërore u angazhua maksimalisht deri në intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Gjatë këtij takimi me ambasadorin Walker u theksua edhe domosdoshmëria e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Mikun e madh të Kosovës e falënderova edhe një herë për gjithçka që ka bërë për Kosovën”, ka shkruar sot Thaçi.

VIDEO- A i dha Walker dorën Thaçit?

E sot, Thaçi e Walker janë parë bashkë në Presidencën e Kosovës.