Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KShC diskutoi letrën e Konferencës së Rektorëve, nuk pajtohen me kërkesat e tyre

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, ka mbajtur sot një mbledhje urgjente që ta trajtojë letrën e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike, të cilët kanë kërkuar shtyrje të afatit të zbatimit të standardeve të reja për akreditim të programeve.

Në këtë mbledhje, anëtarët e KShC-së nuk u pajtuan më kërkesat e rektorëve që të shtyhen afatet për zbatim një vit më shumë, por u pajtuan që për programet që janë në riakreditim të kërkojnë nga universitetet publike që deri më 20.09.2021, të dorëzojë në Agjencinë e Akreditimit të tabelën e plotësuar me publikime shkencore të stafit akademik, të cilët janë udhëheqës (bartës) të programeve akademike.

KALLXO.com më herët raportoi se Konferenca e Rektorëve i është drejtuar me një letër KShC-së për shtyrje të zbatimit të standardeve të reja.

KShC në mbledhjen e kaluar kishte vendosur që nga 1 tetori 2021, përveç kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Akreditim, bartësit e programeve në nivelin bachelor duhet të kenë të paktën 1 (një) publikim shkencor të indeksuar nga fusha e studimit/programit.

Ndërsa, në nivelin Master duhet të kenë të paktën 2 (dy) punime nga fusha e studimit/programit në revista shkencore të indeksuara si autor i parë apo korrespondent sipas nenit 3, pika 1.1 Web of Sciences koleksioni bërthamë (SCIE, SSCI dhe AHCI) dhe 1.2 SCOPUS, duke përjashtuar revistat apo shtëpitë botuese të dyshimta sipas UA 01/2018 të aprovuar nga MASHTI.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë si organ vendimmarës për akreditim, po ashtu kishte marrë vendim që nga 1 tetori 2022, përveç kritereve të përcaktuara me UA për Akreditim, bartësit e programeve në nivelin bachelor duhet të kenë thirrjen akademike Prof. Ass. dhe të paktën 1 (një) publikim shkencor të indeksuar.

Në nivelin master duhet të kenë të paktën thirrjen akademike Prof. Ass.  dhe 2 (dy) punime në revista shkencore të indeksuara si autor i parë apo korrespondent, sipas nenit 3, pika 1.1 WEB OF SCIENCES koleksioni bërthamë (SCIE, SSCI dhe AHCI) dhe 1.2 SCOPUS, duke përjashtuar revistat apo shtëpitë botuese të dyshimta sipas UA 01/2018 të aprovuar nga MASHTI.

KShC po ashtu kishte miratuar edhe  kriteret teknike për fushën e mjekësisë së përgjithshme dhe mënyrën e funksionimit të degëve të institucioneve të arsimit të lartë.

Për këtë vendim kishte reaguar ministrja e Arsimit, Arbëria Nagavci, e cila ka kërkuar nga institucionet e arsimit të lartë që të zbatojnë vendimet.

Deri tani, kriter për akreditim të programeve ka qenë që një program të ketë tre bartës të programit tre bartës të fushës me gradën PhD.

KShC është institucion që merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Konferenca e Rektorëve kërkon që të shtyhen afatet e kritereve shtesë për akreditim të programeve