Konferenca e rektorëve
Rektorët i reagojnë Bytyqit për emërimet e Këshillave Drejtuese
Rektorët e Universiteteve Publike të Kosovës, pas një takimi të mbajtur sot, kanë reaguar në lidhje me shkarkimet dhe emërimet e anëtarëve të Këshillave Drejtuese që dërgohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për këto universitete.
Konferenca e Rektorëve ka shprehur shqetësimin kryesisht për emërimet e anëtarëve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, duke thënë se janë emërime jo-profesionale dhe politike nga ministri në detyrë, Shyqiri Bytyqi.
“Konsiderojmë, se vendimet e lëshuara nga ministri i MAShT, për emërimet e anëtarëve të Këshillave Drejtuese janë të kontestueshme për shkak se i njëjti është ministër i dorëhequr në detyrë dhe në këtë fazë nuk do të duhej të emëronte anëtarë të Këshillave Drejtues të Universiteteve publike(të deleguarit nga MAShT)”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata shtojnë se vendimet nuk përmbajnë as bazë ligjore dhe as arsyetime.
“Gjithashtu vendimet janë të përgatitura në mënyrë jo profesionale, nuk përmbajnë elementet kryesore juridike, siç është kohëzgjatja e mandatit të anëtarëve të ri, mungon arsyetimi për shkarkim të anëtarëve të KD-së në Gjilan, të cilët kanë pasur mandat edhe për dy vite të tjera sipas vendimit për emërim të lëshuar një vit më parë nga i njëjti ministër”, përfundon reagimi.
Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, pak ditë pasi u largua nga ish-partia e tij Nisma Socialdemokrate dhe pasi zyrtarizoi kalimin e tij në Partinë Socialdemokrate, ka shkarkuar dy anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, që i kishte emëruar në dhjetor.
Menjëherë pas këtij vendimi, ai e ka marrë vendimin tjetër që t’a plotësojë këtë këshill me dy anëtarë tjerë, Ibrahim Kosumin dhe Violeta Abazi-Huruglica.
Bytyqi po ashtu ka emëruar anëtarë të rinj edhe në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj si dhe në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.
Kujtojmë se Këshilli Drejtues është organi kryesor qeverisës i universiteteve. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.
Rektorët po ashtu kanë ngritur edhe si shqetësim mos funksionimin e Komisionit të Ankesave në kuadër të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
“Universitetet publike, të cilat padrejtësisht nuk kanë marrë akreditim institucional në vitin 2019, shprehin shqetësim për mos funksionim të Komisionit të Ankesave në kuadër të KShC-së dhe si rezultat i mosfunksionimin të kësaj trupe, ankesat e tri universiteteve, të parashtruara brenda afatit 30 ditor ende nuk kanë marrë përgjigje, që gjë ka bllokuar në tërësi procesin e hapjes së konkurseve për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2019/20”, thuhet në reagimin e tyre.
Komisioni i Ankesave ka dhënë dorëheqje më 27 gusht të këtij viti. Në prill të këtij viti, Këshilli Shtetëror i Cilësisë kishte pezulluar punën e Komisionit të Ankesave për shkak se kishin kuptuar që versioni përfundimtar i rregullores me të cilën punon Komisioni i Ankesave nuk është votuar asnjëherë nga anëtarët e KSHC-së dhe se ky komision nuk ka të drejtë të ndryshojë vendimet e KShC-së.