Nga një takim i mëhershëm i Konferencës së Rektorëve. Foto:2018

Konferenca e Rektorëve kërkon që të shtyhen afatet e kritereve shtesë për akreditim të programeve

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike përmes një letre drejtuar Këshillit Shtetëror të Cilësisë ka reaguar ndaj kritereve shtesë të vendosura për akreditim të programeve të institucioneve të arsimit të lartë.

Sipas letrës të siguruar nga KALLXO.com, ata kanë kërkuar që të shtyhet afati i zbatimit të këtyre kritereve.

KShC në mbledhjen e kaluar kishte vendosur që nga 1 tetori 2021, përveç kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Akreditim, bartësit e programeve në nivelin bachelor duhet të kenë të paktën 1 (një) publikim shkencor të indeksuar nga fusha e studimit/programit.

Ndërsa, në nivelin Master duhet të kenë të paktën 2 (dy) punime nga fusha e studimit/programit në revista shkencore të indeksuara si autor i parë apo korrespondent sipas nenit 3, pika 1.1 Web of Sciences koleksioni bërthamë (SCIE, SSCI dhe AHCI) dhe 1.2 SCOPUS, duke përjashtuar revistat apo shtëpitë botuese të dyshimta sipas UA 01/2018 të aprovuar nga MASHTI.

Në këtë pikë, Konferenca e Rektorëve kanë kërkuar që zbatueshmëria e këtij kriteri të filloj nga tetori 2022 si dhe tek bartësit e programeve të shtohet togfjalësh: përveç bartësve të cilët ligjërojnë në lëndë artistike.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë si organ vendimmarës për akreditim, po ashtu kishte marrë vendim që nga 1 tetori 2022, përveç kritereve të përcaktuara me UA për Akreditim, bartësit e programeve në nivelin bachelor duhet të kenë thirrjen akademike Prof. Ass. dhe të paktën 1 (një) publikim shkencor të indeksuar.

Në nivelin master duhet të kenë të paktën thirrjen akademike Prof. Ass.  dhe 2 (dy) punime në revista shkencore të indeksuara si autor i parë apo korrespondent, sipas nenit 3, pika 1.1 ËEB OF SCIENCES koleksioni bërthame (SCIE, SSCI dhe AHCI) dhe 1.2 SCOPUS, duke përjashtuar revistat apo shtëpitë botuese të dyshimta sipas UA 01/2018 të aprovuar nga MASHTI.

E në këtë paragraf, Konferenca e Rektorëve kanë kërkuar që të fillojë të zbatohet në vitin 2023 dhe jo në vitin 2022 si dhe tek thirrja Prof. ass, të shtohet: Përjashtimisht programeve profesionale, te të cilat bartësi nuk kërkohet që të jetë dr.sc.

“Periudha kohore prej 20 ditësh për të siguruar publikimet e stafit në platformat e cekura në vendim është e pamundur për t’u realizuar, duke marrë në konsideratë kohëzgjatjen  e procesit të publikimeve në këto platforma”, thuhet më tej në letrën e tyre dërguar KShC-së.

Sipas tyre, ky afat shkel parimin bazë të sigurisë juridike dhe cenon pritjet e ligjshme të Universiteteve.

KALLXO.com kishte raportuar për kriteret shtesë që janë vendosur nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit, javën e kaluar.

KShC po ashtu kishte miratuar edhe  kriteret teknike për fushën e mjekësisë së përgjithshme dhe mënyrën e funksionimit të degëve të institucioneve të arsimit të lartë.

Për këtë vendim kishte reaguar ministrja e Arsimit, Arbëria Nagavci, e cila ka kërkuar nga institucionet e arsimit të lartë që të zbatojnë vendimet.

Deri tani, kriter për akreditim të programeve ka qenë që një program të ketë tre bartës të programit tre bartës të fushës me gradën
PhD.

Punimet me vlerë shkencore kriter shtesë për akreditim të programeve të Arsimit të Lartë

 

KShC është institucion që merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Aktualisht në këtë bord janë vetëm anëtarët vendor: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenare Pireva-Nuçi, Seb Bytyçi, Dukagjin Zeka dhe Rozafa Koliqi.