Nga një takim i mëhershëm i Konferencës së Rektorëve. Foto:2018

'Mbajtja peng' e programeve akademike, Konferenca e rektorëve i shkruan letër KShC-së

Rektorët e 6 universiteteve publike dhe sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha, kanë kërkuar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë që sa më shpejt të trajtojë raportet e ekspertëve ndërkombëtarë për riakreditimin dhe akreditimin e programeve studimore.

Konferenca e rektorëve të universiteteve publike i ka nisur një letër KShC-së, duke theksuar se janë të shqetësuar me mosvazhdimin e mbledhjes së 7 korrikut të bordit të KShC, që në rend dite kishte shqyrtimin e programeve studimore.

Ata po ashtu kanë theksuar se çdo vonesë ndikon në hapjen e konkursit për studentë të rinj.

“Konferenca e Rektorëve është e shqetësuar me dinamikën e punës së caktuar nga KShC, pas vendimit që shqyrtimi i ri-akreditimit të programeve studimore të shtyhet më 21 korrik 2021. Pa marrë vendimet e KShC për këto programe studimore, universitetet publike nuk mund të shpallin konkurse për pranimin e studentëve në vitin akademik 2021/22”, thuhet në letrën e tyre të siguruar nga KALLXO.com.

Konferenca e Rektorëve thekson se KShC është dashur dhe duhet të ndajë kohë më shumë për mbledhjen e 7 korrikut, pasi sipas tyre, janë në pritje për riakreditim qindra programe studimore të universiteteve publike dhe të kolegjeve private.

“Konferenca e Rektorëve vlerëson se KShC duhet ta rishikojë vendimin për vazhdimin e mbledhjes, në mënyrë që sa më parë të kryhet ky proces. Përndryshe, praktika e shtyrjes së marrjes së vendimeve për ri-akreditimin e programeve studimore, nuk ka vetëm pasoja ‘teknike’, si rreziku i fillimit të vitit akademik më 1 tetor 2021, por edhe do të ndikojë në ç’orientimin e kandidatëve për studime të larta”, theksohet më tej në letrën e rektorëve.

Ata po ashtu kanë theksuar se “Konferenca e rektorëve ofron ndihmën e vet për tërë procesin, përkrah KShC dhe Agjencisë së Akreditimit për stabilizim pas goditjeve që ka marrë viteve të kaluara, por për këtë duhet angazhim serioz dhe i plotë, në radhë të parë i vetë KShC dhe AKA”.

Kështu, ata kanë kërkuar që Këshilli Shtetëror i Cilësisë të rishqyrtojë seriozisht vazhdimin e mbledhjes në mënyrë që pranimi i studentëve të rinj, sipas tyre, të bëhet si gjithmonë gjatë muajit korrik.

Kjo letër e tyre është protokolluar sot, më 12 korrik dhe i është dërguar Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, duke e njoftuar edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe Komisionin për Arsim.

KALLXO.com kishte raportuar dhe monitoruar mbledhjen e 7 korrikut të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Në këtë mbledhje ishin miratuar vetëm raportet e ekspertëve ndërkombëtarë për akreditime institucionale të institucioneve të arsimit të lartë, por KShC nuk pati pajtueshmëri mes anëtarëve të bordit për vazhdimin e kësaj mbledhjeje.

E gjithë mbledhja u zhvillua me diskutim për agjendën e asaj dite, për të cilëm shumica e anëtarëve kërkuan që të ndryshohet ajo.

KShC më 7 korrik në rend dite kishte votimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë për akreditime institucionale dhe të programeve akademike.

Me mosndryshimin e agjendës të pajtimit ishin vetëm anëtarët Rozafa Koliqi dhe Dukagjin Zeka, që këmbëngulnin që të vazhdohet me të gjitha pikat e rendit të ditës.

Vendimet e KShC-së për akreditimet institucionale, mbesin pa shqyrtim programet akademike

.