Kryetarja e Kuvendit dhe shefi i Zyrës së UNICEF-it inkurajojnë vaksinimin e fëmijëve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, kanë vizituar sot Qendrën për Imunizim, që ndodhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Ulpiana të Prishtinës.

Sipas njoftimit të Zyrës së kryetares së Kuvendit, Osmani gjatë kësaj vizite tha se programi i imunizimit është shumë i rëndësishëm për fëmijët në Kosovë.

“Jam mirënjohëse për punën e palodhshme të të gjithë punëtorëve shëndetësorë për t’i përmbushur nevojat e prindërve dhe për të ofruar shërbime themelore shëndetësore për të gjithë fëmijët gjatë kësaj kohe të vështirë. I inkurajoj prindërit t’i imunizojnë rregullisht dhe plotësisht fëmijët e tyre”, ka thënë Osmani.

Ndërsa shefi i Zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin, tha se përderisa nuk ka vaksinë kundër COVID-19, ka vaksina efektive kundër shumë sëmundjeve të tjera të rrezikshme, si fruthi, difteria dhe të tjera, që lehtësisht mund ta mbysin një fëmijë.

“Është e rëndësishme që prindërit në Kosovë të vazhdojnë së vaksinuari fëmijët në përputhje me orarin e vaksinimit edhe gjatë pandemisë. Ne do të vazhdojmë së përkrahuri institucionet shëndetësore duke i mbajtur punëtorët shëndetësorë dhe komunitetin të sigurt duke siguruar pajisje personale të mbrojtjes për punëtorët shëndetësorë”, ka theksuar Sahin.

Shumë vende në botë e kanë suspenduar programin e imunizimit për shkak të COVID-19, duke e përfshirë edhe Kosovën, ndërsa në bashkëpunim mes IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ky program ka rifilluar.

Kosova është e përfshirë në procesin e imunizimit në masën 90 për qind. Ndërsa për t’i mbështetur komunitetet e margjinalizuara, UNICEF-i bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë  e zbaton programin e vizitave nëpër shtëpi, në të cilin përfshihen 16 mijë familje në tërë Kosovën.