Kryetari i Leposaviqit nuk ishte në takimin e kryetarëve me kryeministrin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministra të kabinetit qeveritar është takuar sot me kryetarët e komunave.

Në takimin e kryetarëve të komunave me kryeministrin Kurti, prezent nuk ishte edhe Lulzim Hetemi, kryetar i komunës së Leposaviqit.

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi është pyetur në lidhje me mos-prezencën e Hetemit, por Krasniqi tha se nuk e di arsyen.

“Ne kemi koordinim të rregullt me kryetarin e Leposaviqit dhe këshilltari që është përgjegjës në ministri tek unë për komunat veriore, vazhdimisht është në kontakt edhe me kryetarin e komunës së Leposaviqit por edhe me të tjerët. Sigurisht që do të merr pjesë në mbledhjet e ardhshme edhe nuk ka nevojë të kyçet online” – tha Krasniqi.

“Sot nuk ishte prezent mirëpo ishin prezent tre kryetarët tjerë të komunave të veriut. Nuk kam komuniku sot me kryetarin e Leposaviqit dhe nuk e di pse nuk ka marrë sot pjesë në takim, por jemi në komunikim të vazhdueshëm” – shtoi ai.

Më tej, ministri tha së në takimin e sotëm me kryetarët kanë diskutuar për kërkesat specifike që i kanë pasur ata, të marrin përgjigje meritore në pyetjet e tyre edhe të koordinohen për punët që i presin deri në fund të vitit.

Kryetari Hetemi prej muajit maj, kur filluan tensionet në veri, është duke qëndruar i mbyllur brenda në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit.

Lulzim Hetemi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Leposaviqit, në zgjedhjet e 23 prillit që u bojkotuan nga qytetarët e komunitetit serb, të cilët janë komunitet shumicë në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.