Foto: RTV21

Kryetari i fshatit të Krushës së Madhe shpërthen në lot gjatë fjalimit: Këtu krimi është ende i gjallë

Kryetari i fshatit të Krushës së Madhe, Selami Hoti, ka shpërthyer në lot gjatë fjalimit të tij në përvjetorin e 23-të të maskarës së Krushës së Madhe.

Duke folur për viktimat e kësaj masakre, ai u shpreh se është shumë i emocionuar sot.

“Pas 23-vite Krusha e Madhe jeton me ankthin se a do t’i gjejmë edhe 64 krushjanët tanë. Në Krushë ende krimi është i gjallë… Jam shumë i emocionuar sot…{ndërpret fjalimin}… Edhe kësaj here në emër të Krushës së Madhe kërkojmë që të jeni të bashkuar kundër të keqes sa nuk është bërë shumë vonë, luftërat përsëri po na afrohen akoma pa harruar këtë për të cilën jemi mbledhur sot”, tha Hoti.

Ai kërkoi nga liderët shtetëror që janë prezent në këtë ceremoni që të bashkohen dhe të mblidhen faktet e të krijohet instituti i krimeve të luftës dhe muzeu i luftës.

“Bashkohuni për të demaskuar Serbinë. Merruni me mbledhjen e fakteve, dëshmive, krijimin e institutit të krimeve të luftës, krijimin e muzeve të luftës për të ruajtur këto dëshmi, që më pas do të luajnë rolin e avokatit më të mirë mbrojtës, bashkohuni dhe mos lejoni që edhe më tej të gjykohemi ne dhe UÇK”, tha Hoti më tej në fjalimin e tij.

Sot është duke u shënuar 23-vjetori i masakrave së Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël.