Foto: RTV21

Kurti: E kemi të qartë përmasën e punëve që duhet bërë për të sjellë drejtësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të 23-të të masakrës së Krushës së Madhe, tha se Qeveria e ka shumë të qartë përmasën e punëve që duhet bërë për drejtësi.

“Unë deklaroj në emër të Qeverisë, që e kemi shumë të qartë përmasën e punës që duhet kryer. Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur se duhet të punojmë shumë dhe shpejt”, tha Kurti.

Kryeministri tha se puna për drejtësi kërkon energji dhe vullnet dhe sipas tij deri tani ‘kërkimi i drejtësisë është bërë shkel e shko’.

“Askush s’ka pse të vijë e të na mësojë krimet e luftës e të gjenocidit, viktimat foshnje, gra, dëshmorët dhe të burgosurit, inteligjencën e përdhosur. Përkundrazi, ne duhet t’u mësojmë atyre që përpiqen ta harrojnë fatin e mijëra njerëzve në Kosovë për dhimbjen tonë, por edhe për të mirën e vetë atyre”, tha Kurti më tej.

Sot janë bërë 23 vjet nga masakrat në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.

Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, përfshirë burra, gra, pleq e fëmijë.