Kryeshefi i KEK-ut tregon pse ka rënë nga funksioni njësia 2 e TC "Kosova B"

Nagip Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar arsyet se pse kishte rënë nga funksioni blloku 2 i termocentralit “Kosova B”.

Ai tha se arsyeja e rënies ka qenë ‘simptomatike’.

“Në një moment të caktuar janë rritur temperaturat dhe presioni, edhe në kondenzatorët, që është shenjë që diçka s’ka qenë në rregull. Kur ato janë rritur mbi normale, është vendosur që të ndalet blloku edhe pastaj kur është bërë ndalja është parë që janë dëmtuar lopatat”, tregoi fillimisht ai.

Krasniqi tha se është duke u pritur raporti që do të kryhet për të analizuar se si ka ardhur deri te rënia e njësisë, ndërsa riparimi sipas tij ka kushtuar rreth 300 mijë euro.

“Nuk mundesh me thanë që përgjegjës është KOSTT, sepse është çështje teknike, sepse pajisjet prishen. Të gjitha pajisjet vjetërsohen dhe në një moment prishen. Nuk besoj që KOSTT duhet ta qesë dikënd prej punës, sepse kanë qenë pajisje teknike”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se do të angazhohen një ose dy kompani ndërkombëtare që të bëhet një analizë e thellë se pse ka ndodhur rënia e njësisë 2 të TC “Kosova B”.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po transmetohet intervista me kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqin.