Albin Kurti, Shkolla Verore Nderkombetare Univeristeti i Prizrenit, 07.08.2024, Foto: ZKM

Kryeministri Kurti takohet me studentët e Shkollës Verore Ndërkombëtare në Prizren, u flet për qeverisjen e tij e për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti vizitoi Shkollën Verore Ndërkombëtare në Universitetin e Prizrenit.

Në këtë Shkollë po marrin pjesë studentë nga 45 vende të botës. Tema e Shkollës Verore është “Zbulimi i Diversitetit: Dija Nuk Njeh Kufij”.

Kurti studentëve ndërkombëtarë u tregoi se arsimin e lartë në Kosovë, qeverisja e tij e bëri pa pagesë si dhe u tha se fokus i Qeverisë janë bursat.

Tutje gjatë takimit kryeministri i njoftoi studentët se Kosova është në vitin e parë të udhëtimit pa viza në zonën Schengen e po ashtu i njoftoi me indikatorët ekonomikë, socialë e demokratikë.

Edhe Lojërat Olimpike e sukseset e sportistëve kosovarë u përmendën në këtë takim.

Diversitetin fetar, kulturor e etnik në Kosovë ka përmendur po ashtu Kurti.

“Ai shtoi se me krenari kemi dhe zbatojmë një nga Kushtetutat me mbrojtjen më të lartë të të drejtave të minoriteteve, që ndër tjerash, përfshin 10 vende të rezervuara nga 120 për minoritetet” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Diaspora kosovare u përmend në takim me studentët, me ç’rast kryeministri tha se po kërkohen mënyra të reja për të investuar dhe kontribuar në Kosovë.

Në komunikatë thuhet se kryeministri iu përgjigj pyetjeve të studentëve por që pyetjet e tyre nuk u bënë publike nga ZKM.