Kryeministri Kurti ngushëllon familjen Ramadani për humbjen tragjike të katër anëtarëve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Ramadani nga Shtimja, e cila humbi katër anëtarë në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Ferizaj-Shtime, në fshatin Koshare, një ditë më parë.

Në telegram kryeministri Kurti i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, duke bashkëndjerë dhimbjen me ta për humbjen tragjike.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje Tuajën kaq të madhe. Me mendje e zemër jemi pranë Jush, në këtë ditë zie e pikëllimi”, ka shkruar Kurti në telegramin dërguar familjes Ramadani.

Dje, në një aksident trafiku të ndodhur në magjistralen Ferizaj-Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare të Ferizajt, kanë humbur jetën 4 persona.

Policia e Kosovës dje ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:37 në fshatin Koshare të Ferizajt, ku të përfshira ishin dy automjete civile të udhëtarëve.

Sipas tyre, deri te aksidenti i komunikacionit dyshohet të ketë ardhur kur automjeti i udhëtarëve Audi me targa vendore, e drejtuar nga E.M. 22-vjeçar po qarkullonte, nga drejtimi i Ferizajt në drejtim të Shtimes dhe me të arritur në fshatin Koshare, për shkaqe ende të panjohura, kalon në anën tjetër të lëvizjes dhe ndeshet me automjetin  Golf me targa vendore, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt, nga Shtimja në drejtim të Ferizajt.

Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se lidhur me këtë aksident është arrestuar një person dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Aksidenti me fatalitet në Ferizaj, arrestohet një person