Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

Kryeministri i Kroacisë: Një nga të lënduarit është në Zagreb, do të mbulojmë të gjitha kostot për të lënduarit

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka vizituar spitalin e Sllavonski Brodit, ku janë duke qëndruar të lënduarit e aksidentit të trafikut që ka ndodhur sot në mëngjes, në të cilin vdiqën dhjetë persona dhe rreth 40 janë lënduar.

Plenkoviq tha se një nga të lënduarit është në Zagreb.

Ai po ashtu tregoi se Kurti do të shkojë sonte në këtë zonë, raporton media kroate hrt.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrat e tij priten sonte në Brod. Qeveria Kroate dhe të gjitha shërbimet do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar të lënduarit. Vetëm një nga të lënduarit është aktualisht në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur këtu në spitalin në Sllavonski Brod ose në një shtëpi me konvikt, ata që nuk janë të lënduar “, tha Plenkoviq.

Ai shtoi se nuk ka pasur një aksident kaq të madh trafiku për shumë vite në Kroaci.

“Nga kostot e qëndrimit këtu, deri tek organizimi i udhëtimit në Kosovë për të gjithë pacientët, sepse duke pasur parasysh situatën, jo të gjithë pacientët do të jenë në gjendje të largohen nga Sllavonski Brod në të njëjtën kohë. Ne do të ndihmojmë gjithçka”, tha kryeministri kroat.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë  të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Kroaci.

Aksidenti që ka ndodhur afër Sllavonski Brodit po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Kurse, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur drejt Kroacisë, bashkë me disa ministra.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore, pas këtij aksidenti.