Kryeministri Hoti nuk i tregon shifrat e infektimeve me COVID-19 në komunat me shumicë serbe

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar hartën e qyteteve të Kosovës të cilat janë ndarë sipas numrit të infektimeve dhe për disa prej tyre ka marrë vendime për ndalesa.

Por në hartën e publikuar nga kryeministri, në komunat me shumicë serbe nuk janë paraqitur numra infektimesh të COVID-19.

Sipas kësaj harte, komunat e Mitrovicës së Veriut, Shtërpcës, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk kanë infektime por janë në zonën e portokalltë.

Ngjyra e portokalltë, sipas vendimeve të qeverisë tregon se operatorët ekonomik në ‘zonën e portokalltë’ kanë të drejtë të punojnë nga ora 05:00 deri në 18:00, gastronomët kanë të drejtë pune deri në orën 18:00 me shërbim ‘merr me vete’ ose me porosi.

KALLXO.com ka raportuar të shtunën se vendimi i qeverisë për masat anti –Covid-19, i cili i ndalon tregjet publike nuk ka qenë duke u respektuar në Mitrovicën Veriore. Një qytetar të shtunën ka dërguar disa fotografi në adresë të KALLXO.com, ku shihet se tregu atje është i hapur edhe pse në kundërshtim me masat anti-Covid.

Në po të njëjtën ditë, edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar në Facebook për mosrespektimin e masave në veri të Kosovës.

“Sidoqoftë, nëse kjo Qeveri beson se vendimi për izolim të vendit ka sukses, atëherë pse nuk po e zbaton vendimin edhe në komunat veriore të Kosovës, ku subjektet afariste atje po e vazhdojnë sot veprimtarinë e tyre normalisht dhe mund të jetë burim potencial i potencial i përhapjes së COVID-19. Me mos-veprim për shtrirje të autoritetit shtetëror edhe në pjesën veriore të Kosovës, Qeveria faktikisht në mënyrë indirekte po jep sinjale si nuk i intereson sovraniteti i Republikës së Kosovës.”, kishte shkruar Bahtiri.

Gjithashtu, një ndeshje e cila zyrtarisht nga Policia e Kosovës u tha se u ndërpre për shkak të masave kundër COVID-19 në Kosovë, po hetohet nga ana e vet këtij institucioni.

Ndeshja Trepça – Takovo, në kuadër të garave të një lige të futbollit të Serbisë, e cila ishte paraparë që të zhvillohej të shtunën nga ora 13:00 në fshatin Zhitkovc të Komunës së Zveçanit, ngriti debat të shtunën nëse do të duhej apo jo të zhvillohej për shkak masave të cilat i kishte ndërmarrë Qeveria e Kosovës një ditë më parë (të premten 6 nëntor) e ku ndaloheshin të gjitha aktivitetet sportive, kulturore e artistike madje shtatë komuna të Kosovës u futën edhe në karantinë.

Të dielën Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se ndeshja ishte ndërprerë nga ana e njësiteve policore.

KALLXO.com kishte mësuar se ndeshja megjithatë ishte zhvilluar pa u penguar fare madje këtë e mbështet edhe një raportim i gazetës online Gminifo.rs e cila përshkruan në detaje të gjithë ndeshjen e zhvilluar ditën e shtunë në Zveçan.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se zyrtarët policorë nuk kishin ndaluar ndeshjen ani pse kishin marrë një kërkesë urgjente nga ana e Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës më saktësisht nga drejtori Afrim Ahmeti.

Në kërkesën e Policisë së Kosovës të dërguar në Qendrën Komanduese në veri të Mitrovicës, e të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet: “Dy skuadrat serbe që aktivitetin e tyre sportiv e zhvillojnë në Kosovë, Takovo dhe Trepça fantome, do të luajnë sot në Kosovë në kuadër të javës së 15 të Ligës së Tretë të Serbisë, në futboll sipas informacioneve të mediave, kërkojmë që të ndërmerren të gjitha veprimet operative në ndalimin e aktiviteteve të cilat janë jashtë kalendarit dhe masave të qeverisë për COVID-19. Shpresojmë në reagimin e juaj profesional”.

Dyshime se Policia e Kosovës nuk reagoi në urdhërat për të ndaluar lojën e futbollit në Zveçan

Këto komuna do të hynë në zonë të kuqe, të portokalltë dhe të gjelbër

Këto janë masat e reja sipas rasteve të komunave me COVID-19