Fc Takovo, Foto: Gminfo.rs

Dyshime se Policia e Kosovës nuk reagoi në urdhërat për të ndaluar lojën e futbollit në Zveçan

Një ndeshje e cila zyrtarisht nga Policia e Kosovës u tha se u ndërpre për shkak të masave kundër COVID-19 në Kosovë, po hetohet nga ana e vet këtij institucioni.

Ndeshja Trepça – Takovo, në kuadër të garave të një lige të futbollit të Serbisë, e cila ishte paraparë që të zhvillohej të shtunën nga ora 13:00 në fshatin Zhitkovc të Komunës së Zveçanit, ngriti debat të shtunën nëse do të duhej apo jo të zhvillohej për shkak masave të cilat i kishte ndërmarrë Qeveria e Kosovës një ditë më parë (të premten 6 nëntor) e ku ndaloheshin të gjitha aktivitetet sportive, kulturore e artistike madje shtatë komuna të Kosovës u futën edhe në karantinë.

Të dielën Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se ndeshja ishte ndërprerë nga ana e njësiteve policore.

“Bazuar në informacionet zyrtare nga rajoni, pas pranimit të informatës zyrtare për zhvillimin e lojës, njësitet relevante policore kanë shkuar në lokacion dhe bazuar në vendimet zyrtare  nuk kanë lejuar të zhvillohet ndeshja/loja”, ka thënë Policia e Kosovës për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte mësuar se ndeshja megjithatë ishte zhvilluar pa u penguar fare madje këtë e mbështet edhe një raportim i gazetës online Gminifo.rs e cila përshkruan në detaje të gjithë ndeshjen e zhvilluar ditën e shtunë në Zveçan.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se zyrtarët policorë nuk kishin ndaluar ndeshjen ani pse kishin marrë një kërkesë urgjente nga ana e Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës më saktësisht nga drejtori Afrim Ahmeti.

Në kërkesën e Policisë së Kosovës të dërguar në Qendrën Komanduese në veri të Mitrovicës, e të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet: “Dy skuadrat serbe që aktivitetin e tyre sportiv e zhvillojnë në Kosovë, Takovo dhe Trepça fantome, do të luajnë sot në Kosovë në kuadër të javës së 15 të Ligës së Tretë të Serbisë, në futboll sipas informacioneve të mediave, kërkojmë që të ndërmerren të gjitha veprimet operative në ndalimin e aktiviteteve të cilat janë jashtë kalendarit dhe masave të qeverisë për COVID-19. Shpresojmë në reagimin e juaj profesional”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me u.d të Sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në lidhje me këtë rast.

“Nuk është zhvilluar asnjë ndeshje atje. Unë e kam nga Policia e Kosovës zyrtarisht se e ka ndaluar këtë ndeshje, kanë reagu. Unë kam dhënë udhëzime që sipas vendimeve të qeverisë duhet me u ndalu ndeshja dhe kam kërkuar që të veprojnë”, tha Ibër Alaj u.d i Sekretarit të MKRS-së.

Për këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Komandantin e Policisë në Zveçan, Dragan Stefanoviq. Komandanti fillimisht thotë se ka qenë në pushim e më pas është përgjigjur se pasi që kanë shkuar në stadium, ndeshja nuk ka qenë duke u zhvilluar.

“Unë kam qenë në pushim. Ne kur kemi mbërri te stadiumi loja nuk ka qenë duke u zhvilluar. Pra nuk është mbajtë ndeshja, kishte disa njerëz aty që filluar të shpërndahen”, ka thënë Komandanti i Policisë në Zvecan, Stefanoviq.

Të gjitha informacionet që KALLXO.com i kishte siguruar në lidhje me këtë rast i ka dërguar në Departamentin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, ndërsa gjatë ditës së sotme policia ka thënë se ka nisur një hetim preliminar për këtë rast.

“Duke ju falënderuar për informacionet dhe bashkëpunimin e ndërsjellët, njëherë ju informojmë se Policia e Kosovës ka filluar një hetim preliminar lidhur me verifikimin e informatës së poshtëshënuar”, thuhet në përgjigjen e policisë drejtuar KALLXO.com.

Çka thuhet në raportimin e gazetës online për ndeshjen Takovo-Trepça?

Gminfo.rs ka përshkruar në detaje ndeshjen e cila u zhvilluar të shtunën në stadionin e fshatit Zhitakovc të Komunës së Zveçanit. Loja sipas raportimi ka përfunduar me rezultat 1 me 1 ndërsa është zhvilluar në kuadër të raundit të 15 të Ligës Serbe.

Raportimi thotë se një ditë më parë lojtarët e Takovos kanë qëndruar në Rashkë(diten e premtë më 6 nëntor.
Së dyti, përskej asaj që duhet të kryhen një varg rregullash të pazakonta për ardhje në Zveçan me një situatë të përkeqësuar epidemiologjike kudo, veçanërisht në Kosovë, Takovo nuk llogariti nëse do të shkonte apo të ishte mysafir në Rashkë (deri dje, nga gjashtë ndeshje, Trepça kishte luajtur katër në Raska), duke i treguar futbollit te Serbisë dhe klubit miqësor Trepca, por edhe popullit vëllazëror në Kosovë se është gjithmonë për një luftë të ndershme dhe fer.

Raportimi i gazetës tregon se Trepça, kaloi në avantazh në fillim të pjesës së dytë, duke përshkruar se pas këtij goli i cili ndodhi në minutën e 50’, “fëmijët që mblidhnin topat, filluan t’i vononin portierit topat gjë që ishte e qartë se nikoqiri në këtë rast Trepça e respektonte Takovon”.

Raportimi tregon në detaje mënyrën e zhvillimit të lojës ku u tregua edhe se në minutën e 67 ekipi i Takovos e cila ishte mysafire e Trepçës barazoi rezultatin në 1:1.

Raportimi shfaq udhëtimin e së shtunës, në “një ditë të bukur vjeshte me diell në Kosovën veriore e cila është thellë në Mitrovicë me rrugë plot me flamuj serb dhe me një popullsi 100 për qind serbe”.