25-vjetori i Masakrës së Dyzit: Foto: Zyra e Kryeministrit

Krerët e shtetit përkujtojnë Masakrën e Dyzit

Masakrën më të madhe në rajonin e Llapit, atë të Dyzit të Podujevës e përkujtuan sot krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

25 vite më parë, më 18.04.1999 forcat serbe vranë civilë të paarmatosur, e në mesin e viktimave përpos burrave kishte edhe gra e fëmijë.

“25 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, kryen njërën ndër krimet më makabre, në fshatin Dyz të Podujevës ku torturuan mizorisht dhe ekzekutuan 70 burra, gra dhe fëmijë” – tha Osmani.

Presidentja tha se nuk do të ndalen kurrë duke kërkuar drejtësinë dhe duke kujtuar e nderuar me përulësi të gjithë viktimat e masakrës së Dyzit dhe të gjitha viktimave të ekzekutuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

“Krimet nuk vjetrohen kurrë dhe kriminelët patjetër duhet të marrin dënimin e merituar. Qoftë i përhershëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri” – u shpreh e para e shtetit.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti tha se ndonëse e Kosova e ka lirinë, pavarësinë, shtetin dhe demokracinë, nuk e ka edhe drejtësinë për këto humbje të tmerrshme që i ka përjetuar populli.

“Para 25 vjetëve, teksa e zbatonte projektin gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, forcat e Serbisë këtu në trevat e Gollakut e të Llapit, në Dyz e në Koliq, kanë vrarë mbi 200 civilë të paarmatosur, të pambrojtur, pa i kursyer moshat e shtyra apo fëmijët e vegjël” – tha kryeministri.

Kurti shtoi se e vërteta dihet dhe se e vërteta e plotë ndodhet në arkivat në Beograd, të ushtrisë e të policisë atje.

“Por neve na nevojitet drejtësia dhe për këtë i bëj thirrje edhe njëherë Prokurorisë dhe gjyqësorit tek ne, që të bëjnë gjithçka munden e dinë, të intervistojnë të gjithë dëshmitarët, të grumbullojnë evidencat materiale dhe të fillohet me aktakuza, me gjykime e me dënime në mungesë për të vrarët në këtë rajon” – tha shefi i Qeverisë.

Tutje ai shtoi se nuk duhet të harrohet që edhe lirinë që e gëzojmë, por edhe përgjegjësitë që janë në shtet i kanë rrënjët tek gjaku i dëshmorëve.

25-vjetori i Masakrës së Dyzit: Foto: Zyra e Kryeministrit
25-vjetori i Masakrës së Dyzit: Foto: Zyra e Kryeministrit
25-vjetori i Masakrës së Dyzit: Foto: Zyra e Kryeministrit
25-vjetori i Masakrës së Dyzit: Foto: Zyra e Kryeministrit
25-vjetori i Masakrës së Dyzit: Foto: Zyra e Kryeministrit