Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Osmani dhe Kurti të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka dalë me një deklaratë për tensionet në veri.

Kreu i PDK-së ka ftuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

“Duke e kuptuar drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit, ftojmë Presidenten dhe Kryeministrin që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai është shprehur se në këtë mision, PDK vlerëson se duhet të jenë të angazhuar të gjithë, pa përjashtim, hisedarë relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Po ashtu, Krasniqi ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

“Në momente si këto, ku roli i gazetarëve për informimin e publikut është tejet i rëndësishëm, është tërësisht e papranueshme që puna e tyre të pengohet dhe që ata të shndërrohen në caqe të sulmeve. Kërkojmë nga institucionet kompetente të Qeverisë që të garantojnë masa sigurie për gazetarët dhe punonjësit e mediave, të cilët janë në detyrë dhe po raportojnë gjatë gjithë ditës nga pjesa veriore e Kosovës” – ka shkruar Krasniqi.

Ai gjithashtu ka shtuar se PDK inkurajon të gjithë qytetarët e Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mos bëhen pjesë e asnjë manipulimi apo sjelljeje të dhunshme që cenon rendin, ligjin dhe demokracinë në vend.

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi të njëjtit kanë përdorur sulme dhe dhunë ndaj zyrtarëve të KFOR-it pas tensionimit të situatës në veri.

Situata në veri – Pamje