Ilustrim

Simpatizanti i PDK-së caktohet që ta informojë Albin Kurtin për sigurinë kombëtare

Pas ardhjes së Albin Kurtit në krye të Qeverisë, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka vendosur të bëjë ndryshime në mënyrën se si dhe çfarë i raportin kryeministrit të Republikës për sigurinë në vend.

Vetëm 1 ditë pasi që Albin Kurti ishte bërë kryeministër, Drejtori i Qendrës së Situatave në Këshillin e Sigurisë së Kosovës, Shaqir Shaqiri u kishte kërkuar zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni që të ndërrojnë mënyrën e dhënies se informatave për kryesuesin e këshillit, që është kryeministri i vendit.

Shaqir Shaqiri deri para rreth 2 muajve ka pasur pozitë tjetër brenda Qeverisë.

Mirëpo me 2 dhjetor, Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Bekim Podrimqaku i kishte dhënë detyra shtesë.

Nga 2 dhjetori, Shaqir Shaqiri përvec pozitës së Drejtorit të Drejtoratit të Administratës ishte i ngarkuar edhe me detyrat e Drejtorit të Qendrës së Situatave në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Detyra e shefit të administratës kishte përfunduar me 5 shkurt, vetëm dy ditë pasi që në krye të Qeverisë erdhi Albin Kurti.

U.D i sekretarit të Këshillit të Sigurisë, Bekim Podrimqaku, kishte vendosur që ta transferonte Shaqirin si Drejtor të Qendrës së Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Kur ishte vendosur në dhjetor që të merrte detyra shtesë, ushtruesi i detyrës së se sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Bekim Podrimqka e kishte arsyetuar me faktin se është e pamundur të hapet konkurs për plotësimin e vendit të lirë të punës.

Mirëpo, transferimi i tij është bërë menjëherë pas ardhjes së Kurtit dhe pa konkurs.

Këtë vendim, U.D së sekretarit, Podrimqaku e arsyeton se ka bazë ligjore dhe se kjo është bërë me pëlqim të palëve.

“Nuk duhet të ketë konkurs, është me pozitë ekuivalente, me ligj është që me pëlqim të palëve vendoset”, tha shkurtimisht Podrimqaku për KALLXO.com.

Vendimin për transferim që e posedon KALLXO.com thotë se është bërë me pëlqim të U.D së sekretarit, Bekim Podrimqka dhe Shaqir Shaqirit.

Në anën tjetër, Shaqiri Shaqiri thotë se transferimi i tij në këtë detyrë me 5 shkurt, vetëm 2 ditë pasi ishte votuar qeveria e re në Kuvendin e Kosovës, nuk ka ndonjë ndërlidhje.

Shaqir Shaqiri në profilin e tij në Facebook, shihet që ka afërsi me Partinë Demokratike të Kosovës, tani në opozitë. Ai mban në profilin e tij fotografi të kandidatëve të PDK-së për asamble komunale.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Shaqiri thotë se nuk është pjesë e asnjë strukturë të kësaj partie, por nuk e mohon që ka simpati për PDK-në.

“Nuk jam pjesë aktive e PDK-së, por secili prej neve kemi ndonjë simpati. Nuk kam asnjë pozitë në ndonjë degë apo nëndegë”, thotë ai.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës se si ka ndërruar mënyra e hartimit të raportit me informata për kryeministrin e Kosovës nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

Albin Kurtit i ndryshohet forma e raportit për sigurinë në vend vetëm katër ditë para se të vinte në pushtet