Tensionet në veri, Policia arreston disa të dyshuar

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi të njëjtit kanë përdorur sulme dhe dhunë ndaj zyrtarëve të KFOR-it pas tensionimit të situatës në veri.

Këtë e ka bërë të ditur Policia, duke theksuar se janë lënduar edhe disa pjesëtarë të KFOR-it në Zveçan.

“Protestuesit në Zveçan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej mollotovi, shok bomba, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri. Si pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani janë lënduar/plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre”- thuhet në komunikatë.

Policia ka bërë të ditur se sot një veture zyrtare të Policisë i është vënë zjarri si dhe janë dëmtuar vetura të tjera.

“Në Zveçan protestuesit kanë vazhduar të jenë jo paqësor dhe në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve”- thuhet më tutje në njoftim.

Situata në veri – Pamje