Hoti të dielën mbledh Komitetin për Menaxhimin e pandemisë dhe Këshillin e Sigurisë

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se të dielën do të ftoj në takim Komitetin për Menaxhimin me COVID-19 si dhe Këshillin e Sigurisë për të diskutuar dhe vlerësuar nëse do të jetë e nevojshme që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së pandemisë.

Në një intervistë në Klan Kosova, Hoti tha se gjendja e jashtëzakonshme shpallet nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Të dielën e kam thirrur takimin tjetër të komitetit për të bërë vlerësimin tjetër të situatës shtesë me informata shtesë që kemi kërkuar dhe pas asaj e kam ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë nëse duhet të shqyrtojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Të dielën do ta shqyrtojmë sepse vendimin përfundimtar e merr kuvendi por ne do të vlerësojmë nëse duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, tha Hoti.

Hoti gjithashtu tha se ‘jemi duke shkuar drejtë gjendjes së jashtëzakonshme’.

“Tash jemi duke shkuar drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Sonte kam pasur takim me Komitetin për Menaxhimin e COVId-19, kemi biseduar shumë hapur, mund të jetë vendim jo popullor por jam i gatshëm të shkoj në ekstreme për të ruajtur jetën e qytetarëve”, shtoi Hoti.

Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar tetë viktima nga COVID-19. Në total numri i personave të vdekur nga coronavirus është 95 e në anën tjetër të regjistruar si të infektuar janë gjithsej 4 mijë e 307.