Krasniqi: Misioni i Qeverisë është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas miratimit të Ligjit për zyrtarët publikë i cili u miratua sot në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi ka thënë se përmes këtij ligji misioni i ri i kësaj Qeverie është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre.

Sipas tij e gjithë kjo po bëhet duke shkelur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar”- ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se ky ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian.

“Përtej shkeljeve të të gjitha normave vendore, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike”- ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se PDK do e dërgojnë Ligjin për zyrtarët publik në Kushtetuese.

“Gjithsesi, përballë këtyre tendencave kundërkushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do ta kundërshtojmë dhe do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese, ku, duke besuar në drejtësi, presim rrëzimin e padiskutueshëm të tij”- ka shkruar Krasniqi.

Përvec kësaj, ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për disa çështje, duke thënë se Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe t’i hapë rrugë punësimit masiv të militantëve partiakë, si metodë për të vënë shtetin nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Keqqeverisja, punësimet partiake, skandalet në shëndetësi, dështimet në ekonomi dhe energji, ikja e të rinjve nga vendi, rrezikimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit – në vetëm dy vjet qeverisje – nuk po i mjaftojnë Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij”- ka thënë ai.

Gjatë miratimit në parim, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka prezantuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

“Administrata e mbyllur dhe pamundësi për gjithëpërfshirje, ndërhyrjet politike dhe nepotizëm në proceset e rekrutimit, mungesa e efikasitetit dhe kapaciteteve të limituara profesionale, mungesa e një sistemi efikas për matjen e performancës dhe llogaridhënies menaxheriale, mungesa e përfaqësimit të grave, komuniteteve dhe personave me aftësi të kufizuara, mungesa e normave gjithëpërfshirëse që rregullojnë marrëdhëniet e zyrtarëve të bazuar në parime” – sipas Sveçlës janë problemet kryesore që duhen zgjidhur përmes këtij projektligji.

Ministri ka thënë se është e domosdoshme që administrata publike të hapet për të rinjtë, profesionistët dhe diasporën dhe ky projektligj do ta mundësojë këtë përmes procedurave të rekrutimit të cilat do të bëhen përmes konkurseve të hapura.

“Me aprovimin e këtij ligji të gjithë do të kenë mundësi të aplikojnë dhe të jenë pjesë e administratës publike nëse i përmbushin kriteret përmes një procesi që garanton meritokraci. Kjo garancë bëhet e mundur për shkak se procesi më i ndjeshëm, ai i rekrutimit parashihet të bëhet përmes dixhitalizimit si metodë që siguron transparencë, meritokraci dhe efektivitet” – shtoi ai.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zyrtarët publikë i cili ka marrë 58 vota për, dhe katër abstenime.

Vota kundër nuk ka pasur ndërsa tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputetët opozitarë janë deklaruar kundër disa neneve të këtij projektligji.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ky projektligj cenon punën e administratës publike.

Ai ka thënë se përmes këtij projektligji devijohet puna e shërbimit civil.

“Kemi shprehë shqetësimin tonë edhe në leximin e parë. Ne e konsiderojmë që ky projektligj shihet se do të votohet nga kjo mazhorancë e cenon në thelb punën e administratës publike. Pra e dëmton jashtëzakonisht shumë dhe kemi marrë vërejtje edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë. Ky ligj të cilin sot po e miratoni do ta devijoj punën e mirë të shërbimit civil”- ka thënë Tahiri.

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.