KPK i shqipton vërejtje publike me shkrim prokurores Ervehe Gashi

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shqiptuar sanksion disiplinor – vërejtje publike me shkrim ndaj prokurores së Prokurorisë së Prizrenit, Ervehe Gashi.

Në vendimin e publikuar më 23 maj 2023, KPK i ka shqiptuar vërejtje publike prokurores Ervehe Gashi.

Këshilli Prokurorial këtë vendim e ka marrë pasi është vërtetuar se prokurorja Gashi sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka kryer shkelje disiplinore.

Në vendim thuhet se më 28 prill 2023 prokurorja Gashi kishte arritur marrëveshje vullnetare me panelin hetimor lidhur me shkeljet e supozuara disiplinore.

Kjo marrëveshje parasheh pranimin e shkeljes së pretenduar dhe shqiptimin e vërejtjes publike me shkrim si sanksion disiplinor ndaj prokurores.

KPK nuk e ka publikuar vendimin e plotë lidhur me këtë çështje disiplinore por vetëm marrëveshjen e arritur me panelin hetimor.