Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Vjosa Osmani: Do të studiohet secili detaj para vendimit për dekretim të Kryeprokurorit të Shtetit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

“Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, tha presidentja.

Presidentja Osmani ka theksuar se do të kërkohet edhe dokumentacion shtesë përpara vendimit për dekretimin ose jo të Isufajt.

“Ka edhe dokumentacion shtesë të cilin do e kërkojmë sa i përket këtij propozimi, por në të njëjtën kohë do t’i dëgjoj të gjitha palët përfshi shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë të cilët tashmë kanë shprehur qartë vërejtjet e tyre, të gjitha këto do të merren parasysh, dhe pastaj do të marr vendim përfundimtar”, tha ajo.

Presidentja Osmani ka treguar edhe parimet themelore që do t’i ketë parasysh për dekretimin ose jo të Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit.

“Transparencë në këtë proces, sepse transparenca e determinon integritetin e një procesi. E dyta duhet të ketë integritet kandidati dhe e treta duhet të shikohen edhe çështjet procedurale, të gjitha këto do të analizohen me kujdes”, tha ajo.

Presidentja Osmani nuk ka dhënë datë se kur pritet ta marrë vendimin për Isufajn, por ka theksuar se nuk do ta zgjatë këtë proces.

“Nuk mund të jap datë, sepse këtu me rëndësi është kualiteti i vendimit, dhe jo data, jo sa ditë do të na marrë analiza e dokumentacionit, nuk mund të them që do ta stërzgjasim sepse në momentin që i marrim informacionet nga të gjitha”, tha Osmani.

“Nuk është ndonjë synim i imi si presidente që të vonoj ndonjë procedurë, përkundrazi ne do të marrim vendimin tonë në momentin që i kemi të gjitha të dhënat”, theksoi ajo.

Më 6 prill, Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Me 11 vota pro Blerim Isufaj është nominuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë e kanë kundërshtuar procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, duke kërkuar anulimin e këtij konkursi.

Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit 

.