Foto: Ilustrim

KOSTT: Kërkesat që tarifa e energjisë të kthehet në vlerën e mëhershme e rrezikon furnizimin me rrymë

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për pezullimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

KOSTT ka thënë se nëse kthehen tarifat e lira të energjisë do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike ndërsa ka paralajmëruar edhe reduktime për shkak të mosreflektimit në mes të hyrave dhe kostos reale.

“KOSTT ngre zërin për pamundësinë e mbulimit të kostove të shkaktuara dhe atyre që pritet të ndodhin në qoftë se nuk ndërmerren masa të shpejta për të adresuar çështjen e kostove të sektorit qoftë përmes rritjes se tarifave apo subvencionimit. Nëse nuk ndodhin këto veprime atëherë do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike në vend, do të aplikohet masa për reduktimin e konsumit  si dhe rrezikohet seriozisht Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E”, thotë KOSTT.

“Kërkesat që tarifa e energjisë të kthehet në vlerën e mëhershme e rrezikon sigurinë e operimit të sistemit, dëmton Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E, marrëveshjet e tjera me institucionet ndërkombëtare si dhe arritjet e KOSTT në pavarësimin e operimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës. Rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e krizës globale të energjisë dhe ka prekur të gjitha vendet Evropiane, prandaj  është i domosdoshëm reflektimi i kësaj kosto-je në të hyra shtesë”, thuhet në komunikatën e KOSTT.

 

Apeli pezulloi shtrenjtimin e rrymës

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.