Observatori dhe Planetariumi Kombëtar në fshatin Rashincë, Shtime, Foto: AOK/Facebook

Kosova hap Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të saj më 20 qershor

Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës do të hapet zyrtarisht më 20.06.2024 për publikun, në fshatin Rashincë të komunës së Shtimes, ndërsa një ditë më parë do të pritet shiriti në hapjen solemne të këtij objekti.

Kështu ka njoftuar klubi i Astronomisë në Kosovë, ”Astronomy Outreach of Kosovo” (AOK).

“Kemi nderin të shpallim hapjen zyrtare, e njëkohësisht historike, të Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Republikës së Kosovës. Ceremonia e hapjes solemne do të mbahet më 19.06.2024 dhe do të jetë e rezervuar ekskluzivisht për zyrtarë dhe të ftuarit me ftesë. Nga data 20.06.2024, observatori do të jetë i hapur për publikun e gjerë” – thuhet në njoftimin e ‘AOK’, më 12.06.2024.

Ky do të jetë Planetariumi i parë për Kosovën.

Nga ‘AOK’, vlerësojnë se hapja e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës paraqet një ngjarje të rëndësishme për popullin e Kosovës.

“Hapja e kësaj qendre paraqet një ngjarje të rëndësishme në krijimin dhe nisjen e një epoke të re të integrimit, hulumtimit dhe kërkimit shkencor për popullin e Kosovës. Kjo qendër shkencore është një dëshmi e përpjekeve dhe bashkëpunimit të vizionarëve të cilët kanë dedikuar ekspertizën e tyre për ta bërë këtë projekt realitet” – janë shprehur nga ‘AOK’.

Si rrjedhojë, ata i kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në hapjen zyrtare të Observatorit dhe Planetariumit, më 20.06.2024.

“Ne presim me padurim pjesëmarrjen tuaj në hapjen zyrtare, ku do të hedhim hapin e parë për të nxitur krijimin e praktikës së literaturës shkencore, e po ashtu për të ndezur kureshtjen dhe pasionin për hulumtime dhe zbulime shkencore në zemrat dhe mendjet e brezave të ardhshëm” – kanë theksuar nga ‘AOK’.

Përveç ftesës, ata kanë publikuar po ashtu edhe agjendën për hapjen zyrtare të Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës.

Sipas agjendës, hapja zyrtare e Observatorit dhe Planetariumit do të fillojë më 10:00, ndërsa do të zgjasë deri në ora 23:00 me aktivitete si: vrojtimi i diellit me teleskop, punëtori praktike për operimin e teleskopit nga astronomë të huaj, shfaqje shkencore në Planetarium si dhe vrojtim i qiellit natën përmes teleskopit kryesor të Observatorit dhe Planetariumit.

Kurse, të ftuarit special që do të mbajnë punëtori dhe do të diskutojnë me pjesëmarrësit për fushën e Astronomisë janë astronomë, një ish-inxhinier i Agjencisë amerikane të hapësirës – NASA, profesorë të Universitetit të Kalifornisë “Santa Cruz”, ekspertë të vrojtimit nga kompania ‘Celestron’ (kompani e teleskopëve dhe mjeteve optike për vrojtim), si dhe studentë kosovarë që janë në studime të doktoratës në Shkenca Planetare dhe Fizikë mjekësore.

Agjenda e hapjes zyrtare të Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës, Foto: AOK/Facebook

Më 09.09.2023, KALLXO.com ka raportuar për ndërtimin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës.

Pranvera Hyseni, themeluese e ‘AOK’ e kishte quajtur planetariumin ‘si dhomë virtuale’, pasi në të do të shfaqen pamje të galaktikave dhe do të shërbej si metodë mësimi.

Ndërtimi i Observatorit është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Komuna e Shtimes, në vlerë 310 mijë euro.

Toka ku shtrihet Observatori i është falë komunës së Shtimes, nga profesori i Astronomisë dhe kryetari i ‘AOK’, Milaim Rushiti.

Teleskopi kryesor dhe mjete tjera që do t’i shërbejnë Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës janë dhuruar nga kompania ‘Celestron’, pasionant të fushës së Astronomisë dhe të tjerë kontribues, të cilët ‘AOK’ i ka bërë të ditur në faqen e tyre zyrtare Facebook.

‘AOK’ që nga viti 2015 mbanë aktivitete me të cilat mundohet ta popullarizoj Astronominë në Kosovë dhe t’i nxisë të rinjt që të studiojnë fusha shkencore.