"Contour Global" kërkon 20 milionë euro, Ministria thotë se kërkesa është e pathemeltë

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka njoftuar se më 24 maj ka pranuar një letër nga kompania “Contour Global” ku janë kërkuar 20 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për shpenzimet që kanë bërë për projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që “Contour Global” ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit”, thuhet në njoftimin e MEPTINIS.

Ministria njofton se para se drejtuesit e “Contour Global” të përgatisin letrën, ministrja Rozeta Hajdari i ka ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

“Në vend të përgjigjes ndaj ftesës sonë, “Contour Global” ka dërguar letrën për të njoftuar se synon shkëputjen e kontratave dhe për të kërkuar pagesën. Letra është vazhdimësi e përbuzjes që “Contour Global” ka shfaqur ndaj detyrimeve të veta kontraktore”, ka thënë MEPTINIS.

Kjo ministri ka thënë se më 10 mars, Qeveria ka rithemeluar komitetin drejtues të projektit “Energjia nga Linjiti”, që përfshin termocentralin “Kosova e Re”.

Ndërsa më 12 mars, ministrja Hajdari ka njoftuar përfaqësuesit e “Contour Global” se kërkon diskutime të mëtejshme rreth projektit, në veçanti rreth parakushteve që palët duhej të përmbushnin.

Në përgjigjen e MEPTINIS thuhet se më 17 mars, “Contour Global” ka njoftuar publikisht tërheqjen e njëanshme nga projekti.

“Duke hedhur poshtë detyrimet kontraktore, duke fajësuar pa bazë Qeverinë dhe duke shprehur spekulime të pabaza mbi çështje politike, në dëm të Republikës së Kosovës”, vazhdon njoftimi i MEPTINIS.

Ministrja tashmë ka njoftuar anëtarët e komitetit për letrën e 24 majit dhe ka thirrur mbledhjen e radhës për të shqyrtuar rastin.

“Hajdari është angazhuar gjithashtu për t’i siguruar komitetit mbështetjen e nevojshme për vendimmarrjen e duhur. Mbështetja do të përfshijë këshillat juridike nga një ekip i përgatitur dhe i dëshmuar. Komiteti drejtues i projektit merr vendime në emër të Qeverisë. Si në çdo rast, Qeveria Kurti do të veprojë në përputhje të plotë me ligjin dhe interesin publik, duke u angazhuar për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi i MEPTINIS.

Në muajin mars, “Reutes” kishte raportuar se kompania “Contour Global” ka planifikuar të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë.

Arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara. Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen” thuhet në njoftimin për media të “Contour Global”.

Kontrata me “Contour Global” është nënshkruar nga Qeveria Haradinaj në dhjetor të vitit 2017.

Në qershor të vitit 2018, kompania amerikane “Contour Global” ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Në muajin maj të vitit 2019, konzorciumi i udhëhequr nga “General Electric” është zgjedhur ofertues i preferuar për ndërtimin e TC “Kosova e Re”.

Sipas parashikimeve, gurthemeli për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është dashur të vihet deri në përfundim të vitit 2019.

Afati për përbushjen e kontratës për ndërtimin e TC “Kosova e Re” ka qenë deri në muajin maj të vitit 2020.

Përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht e kanë cilësuar të dëmshme këtë kontratë.

Realizimi i këtij projekti energjetik me kapacitet 500 megavatë ka qenë i planifikuar t’i kushtojë 1.3 miliard euro.

Banka Botërore ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr. Pas Bankës Botërore, edhe institucione të tjera financiare janë tërhequr nga ky projekt.

Rruga e Errët e Termocentralit ‘Modern’

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.