Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova dërgon kontingjentin e parë të FSK-së në mision paqeruajtës

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës sot është nisur në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit, përkatësisht në Kuvajt.

Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së Presidentes tha që dita e sotme është historike.

“Në këtë ditë historike për shtetin tonë, mesazhi është shumë i thjeshtë, kam ardhur të ju them zoti ju ruajt dhe faleminderit. Ky mision gjashtë mujor i ushtarëve tanë po bëhet i mundshëm falë partneritetit më ShBA-në. Këta djem që po i përcjellim sot do të jenë nderi dhe krenaria jonë. Ky kontingjent është i vogël në numër por i madh në përmbajtje dhe në mesazh, këta djem po e shkruajnë historinë e re të vendit tonë”, tha ajo.

Osmani tha që ushtarët  do të kenë gjithmonë përkrahjen e politikanëve dhe qytetarëve të Kosovës.

“Si politikanë mund të mos pajtohemi, por kur bëhet fjalë për vajzat dhe djemtë në uniformë si politikanë dhe si qytetarë qëndrojmë të gjithë të bashkuar dhe të gjithë jemi krenar me ju. Valëvitini lart dhe me krenari flamurin tonë të dashur”, theksoi ajo.

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni tha se e gjitha kjo është meritë e mundit të ushtarakëve.

“Është privilegj i veçantë të jem dëshmitar i një ngjarje historike të Kosovës, përkrah partnerit tonë strategjik, ushtrisë së SHBA-së. Në sot kemi të drejtë të ndihemi krenarë sepse flamuri ynë do të rreshtohet përkrah ushtrive më të fuqishme. Partneriteti, integriteti dhe disiplina e ushtarëve të FSK-së është kurorëzuar me rreshtim përkrah ushtrisë amerikane”, tha Quni.

Komandanti i FSK-së, gjeneral- lejtnant, Rrahman Rama tha që ushtarët e FSK-së tani do të garantojnë paqe edhe në botë.

“Kjo forcë përveç që është e gatshme për misionin e vet në Kosovë, tani po bëhet edhe siguruese e paqes në botë”, tha ai.

Më 5 janar 2021, me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që FSK-ja të dërgohet në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

FSK Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com