Koreja e Jugut miraton projektligj për ndalimin e ngrënies së mishit të qenit

Parlamenti i Koresë së Jugut e ka miratuar të martën një projekt-ligj përmes të cilit e ndalon mbarështimin dhe therjen e qenve për konsum, duke i dhënë fund praktikës tradicionale por të diskutueshme të konsumimit të mishit të qenit pas vitesh debati mbarëkombëtar. Projektligji, duke marrë mbështetje të rrallë dypartiake në peizazhin e ndarë politikisht të Koresë së Jugut, e pasqyron ndryshimin e qëndrimeve ndaj ngrënies së qenve gjatë industrializimit të shpejtë të Koresë së Jugut.

Legjislacioni i lartcekur do ta nxjerrë jashtë ligjit shpërndarjen dhe shitjen e produkteve ushqimore të bëra ose të përpunuara me përbërës qensh, pa ndëshkim për klientët që konsumojnë mish qeni ose produkte të ngjashme. Në vend të kësaj, fokusi është tek ata në industri, siç janë fermerët ose shitësit e qenve. Shkelësit që e therin një qen për ushqim mund të përballen me deri në tri vjet burg ose një gjobë deri në 30 milionë won koreane (rreth 23,000 dollarë). Ata që merren me mbarështimin e qenve për konsum ose në blerjen, transportimin, ruajtjen ose shitjen e ushqimit me bazë qensh me vetëdije mund të përballen me gjoba më të ulëta dhe burgim.

Projektligji e lejon një periudhë mospagimi prej tri vitesh për pronarët e fermave, restorantet e mishit të qenve dhe punëtorët e tjerë në tregtinë e qenve ose të mbyllen ose të kalojnë në biznese të tjera. Qeverive vendore do t’u kërkohet të mbështesin këta pronarë biznesi në një tranzicion të qëndrueshëm.

Ligji i propozuar tani e pret miratimin përfundimtar nga presidenti Yoon Suk Yeol dhe ka marrë mbështetje si nga partitë në pushtet ashtu edhe nga opozita. Zonja e Parë Kim Keon Hee, një pronare qeni që vizitoi një organizatë për mbrojtjen e kafshëve gjatë një vizite shtetërore presidenciale në Holandë në dhjetor, ka shprehur gjithashtu mbështetje të zëshme për projektligjin në fjalë.

Koreja e Jugut, e ngjashme me disa pjesë të Vietnamit dhe Kinës jugore, ka një sfond historik të konsumimit të mishit të qenit, i cili shpesh konsiderohet si një mjet për ta mposhtur nxehtësinë e verës dhe një burim i lirë proteinash gjatë kohës së niveleve më të larta të varfërisë. Megjithatë, me ndryshimin e perceptimeve dhe rritjen e pronësisë së kafshëve shtëpiake, numri i koreano-jugorëve që hanë mish qeni ka rënë ndjeshëm. Një sondazh i Gallup Korea i vitit 2022 zbuloi se 64% e të anketuarve ishin kundër ngrënies së mishit të qenit dhe numri i njerëzve që e kishin konsumuar atë vitin e kaluar kishte rënë nga 27% në vitin 2015 në 8% në vitin 2022.

Pavarësisht miratimit të projektligjit, institucionet e Koresë së Jugut do të përballen me rezistencë nga fermerët e qenve dhe pronarët e bizneseve, të cilët argumentojnë se ky projektligj do të ndikojë negativisht në jetesën dhe traditat e tyre. Shoqata Koreane e Mishit të Qenit e akuzoi qeverinë se po e kërcënon industrinë pa komunikimin e duhur me konsumatorët ose punëtorët. Megjithatë, përkrahësit e projektligjit besojnë se koha deri kur ky projektligj hyn në fuqi dhe masat e lehtësimit do t’i ndihmojnë fermerët e qenve që të largohen nga industria./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala