Deklarimi i presidentes Vjosa Osmani për Samitin e Tretë për Demokraci, Foto: Presidenca

Osmani në Samitin për Demokraci: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazhi i është drejtuar Samitit të Tretë për Demokraci në Korenë e Jugut.

Në deklaratën shtetërore para përfaqësuesve të institucioneve të Koresë së Jugut, ajo ka theksuar se demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë e as si një e drejtë e dhuruar.

“Mbi të gjitha, demokracia është përgjegjësi: përgjegjësi për të mbrojtur, për të fuqizuar, për të ruajtur, për të mbështetur, por më e rëndësishmja, është një përgjegjësi për të vepruar”, ka thënë Osmani.

Ajo ka përkujtuar se me iniciativë të presidentit amerikan Joe Biden, Kosova i është bashkuar botës demokratike për të përcjell një mesazh uniteti.

“Mesazh për domosdoshmërinë e bashkimit të demokracive përballë autokracive në rritje. Që atëherë, zotimet që kemi marrë përsipër në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit tonë si në politikë ashtu edhe në vendimmarrje” – ka deklaruar presidentja Osmani.

Më tej, Osmani ka përmendur disa nga hapat e rëndësishëm që i ka bërë Kosova në avancimin e sundimit të ligjit.

“Ne kemi dëshmuar gjithashtu përkushtimin tonë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore, duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar” – ka theksuar Osmani.

Teksa ka folur për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, ajo ka deklaruar se kanë punuar me të gjitha institucionet dhe me shoqërinë civile për ta luftuar dhunën me bazë gjinore dhe për t’i fuqizuar gratë ekonomikisht.

Pas kësaj, Osmani ka njoftuar se janë duke bërë përgatitje që në prill të këtij viti, të mbahet edicioni i dytë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Prishtinë.

“Në këtë edicion, ne do të fokusohemi jo vetëm në partneritetet dhe dialogun për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme përmes sigurimit të përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes” – ka thënë ajo.

Po ashtu, Osmani ka ndarë lajmin për themelimin e Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit.

Samiti për Demokraci për herë të parë u mbajt më 09.12.2021 deri më 10.12.2021, një konferencë virtuale e mbajtur nga Presidenti amerikan, Joe Biden.

Përfaqësues nga përafërsisht 110 shtete, së bashku me anëtarë të shoqërisë civile dhe lider të sektorit privat morën pjesë në atë konferencë, e cila u përqendrua në tri tema kryesore: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avokimin për të drejtat e njeriut.