Konsulli i emëruar "tinëz", Hoti thotë se për emërimin e djalit të Haxhi Shalës u njoftua nga mediat

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për emërimin e djalit të Haxhi Shalës si Konsull në Çeki.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Hoti ka thënë se për këtë është njoftuar nga mediat.

“Për emërimin e Konsullit të  Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua”, tha Hoti.

Hoti ka shkruar se Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve dipolimatike.

Sipas tij, pas kësaj analize do të ndërmerren veprime.

“Pas kësaj analize do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike dhe do të sigurohemi që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin”, ka shkruar Hoti.

Në anën tjetër, djali i Haxhi Shalës, Flakroni ka reaguar në lidhje me emërimin e tij si Konsull në Pragë të Çekisë, duke thënë se është emëruar në mënyrë të ligjshme dhe se babai i tij nuk ka ndikuar në këtë emërim.

Reagon djali i Haxhi Shalës: Jam emëruar ligjshëm dhe jam i gatshëm të kontribuoj