Reagon djali i Haxhi Shalës: Jam emëruar ligjshëm dhe jam i gatshëm të kontribuoj

Djali i deputetit Haxhi Shala, Flakron Shala, ka reaguar pas lajmeve për emërimin e tij në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm në Pragë.

Përmes një postimi në facebook, Shala ka thënë se profili i tij është paragjykuar duke shtuar se babai i tij nuk ka ndikuar në emërimin e tij në këtë pozitë pasi që sipas tij ai nuk ka kompetencë të tillë.

“Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua.

Prindi im Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjitḧshëm”, ka shkruar ai.

Shala ka theksuar që me përvojën e tij në një nga kompanitë çeke, ai mund të jap kontributin për përfaqësimin sa më të mirë të Kosovës.

“Jam i nderuar dhe i motivuar që si kuadër i përgatitur dhe edukuar në Republikën Çeke bashkë me përvojën time perëndimore, të përfaqësoj me dinjitet, profesionalizëm dhe kujdes Republikën e Kosovës kudo, në çdo takim, aktivitet apo detyra të Konsullit të Përgjithshëm”, ka theksuar ai.

Djali i deputetit Haxhi Shala, është shprehur i bindur që emërimi i tij është bërë në bazë të ligjit.

“Në pozitën Konsull i Përgjitḧshëm i Republikës së Kosovës jam emëruar sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të Presidentit të Kosovës. I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën pesë vjeqare në pozitën si Menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë Çeke Elanor a.s. pëfshirë kualifikimin universitar me gradën Master i Ekonomisë dhe PHD- kandidat, drejtimi Teoria e Ekonomise”, ka theksuar ai.

Vota e deputetit, Haxhi Shala ishte konsideruar si vendimtare për Qeverinë Hoti. Madje Shala në seancën e 3 qershorit kishte deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishin vizituar pas mesnate për t’ia ndërruar mendjen për të votuar pro Qeverisë Hoti.

E vetëm pak muaj më vonë, djali i deputetit Shala, Flakron Shala, është emëruar si Konsull i Përgjithshëm në Pragë/ Çeki, kjo pas rekomandimit të ministres së AAK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Në shkresën e siguruar nga KALLXO.com, të datës 28 shtator, ministrja Haradinaj i rekomandon presidentit Thaçi që ta dekretoj djalin e deputetit Shala.

Para dorëheqjes, Thaçi e kishte dekretuar djalin e Haxhi Shalës Konsull në Çeki