Ilustrim, Policia e Kosovës Foto: Facebook

Konkursi për policë në veri, diskualifikohen tre aplikues

Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turk, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazias dhe maqedonas.

Ky konkurs më pas është mbyllur më 10 shkurt, përderisa sot është njoftuar se janë diskualifikuar tre aplikues për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret e rekrutimit.

Përmes një njoftimi, Policia ka publikuar listën e aplikuesve për të cilët ka thënë se nuk i plotësojnë kriteret e rekrutimit në konkursin për zyrtarë policorë.

Ky vendim është marrë nga komisioni përzgjedhës për procesin e rekrutimit dhe seleksionimit për zyrtarë policorë.

Policia ka thënë se kandidatët të cilët kanë konkurruar për punësim në Polici, aplikacioni i të cilëve është refuzuar, kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi dhe se ankesa duhet t’i adresohet komisionit përzgjedhës në afatin prej pesë ditëve kalendarike, nga data e publikimit të rezultateve.

Në njoftimet paraprake të Policisë ishte bërë e ditur se vendi i punës së zyrtarëve që do të pranohen do të jetë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Para disa ditësh Policia e Kosovës publikoi numrin total të aplikuesve për këtë konkurs që ishte gjithsej 136.

Më pas, më 13 shkurt 2022 në faqen zyrtare të Policisë u bë e ditur se kësaj liste i janë shtuar edhe pesë aplikues të tjerë duke e çuar kështu numrin në 141.

Mirëpo, pas njoftimit të sotëm për diskualifikimin e tre aplikuesve, numri i kandidatëve për policë në veri që do t’i nënshtrohen testimit me shkrim të hënën mbetet 138.

Konkursi në fjalë ishte paraparë që të mbetej i hapur deri më 26  janar, mirëpo në po të njëjtën ditë, nga ana e Policinë ishte njoftuar se afati për aplikim do të zgjatej edhe për 10 ditë të tjera.

Në nëntor të vitit të kaluar, qindra zyrtarë policorë nga komuniteti patën dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në shenjë proteste për masat e qeverisë për targat ilegale serbe në veri të vendit.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.