Gjykimi ndaj Glauk Konjufca - Foto: Laurant Berisha - Kallxo - 25.10.2023

Konjufcës i vjetërsohet vepra penale për pengim të personave zyrtarë

Kryeparlamentari Galuak Konjufca i cili akuzohej për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personave në kryerjen e detyrës zyrtare, tash e tutje do të gjykohet vetëm për veprën e parë penale {përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm}.

Pasi që për veprën e dytë penale {pengim i personave zyrtar në kryerje e punëve zyrtare}, rasti është vjetërsuar, duke marrë për bazë që vepra penale siç përshkruhet në aktakuzë është kryer më 10 gusht të vitit 2016.

“Për {pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare} këtë vepër penale është paraparë dënimi prej 3 muaj deri në 3 vjet dhe vepra penale ka filluar më 10 gusht 2016, që nga kjo kohë ka kaluar dyfishi, andaj Gjykata do të merr vendim për këtë vepër penale…, ndërkaq do të procedojmë për veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” – njoftoi gjyqtarja, Edita Çanta.

Mbi bazën e kësaj, kryekuvendari do të gjykohet vetëm për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm kurse për veprën e cila tashmë është parashkruar nuk do të gjykohet.

Me parashkrim absolut kuptohet se lënda vjetërsohet, çka nënkupton se asnjë veprim nuk mund të merret më nga gjykata, pra rasti nuk mund të gjykohet tutje dhe nuk merret vendim meritor për palët e akuzuara.

Sipas legjislacionit, parashkrimi absolut i ndjekjes penale paraqitet kur kalon dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin, pa marrë parasysh në ndërprerjet apo ndaljet eventuale të mëparshme.

Në seancën e cila është mbajtur sot kanë dëshmuar Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri lidhur me pretendimet e prokurorisë për hedhje të gazit lotsjellës në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet për veprën përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Në aktakuzë përshkruhet se në seancën e kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Gjithashtu më këtë aktakuzë, Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.