Gjykimi ndaj Glauk Konjufca - Foto: Laurant Berisha - Kallxo - 25.10.2023

Grabovci: Nuk e kam parë Konjufcën të gjuante gaz lotsjellës, për Kurtin mundem me dëshmu

Në gjykimin ndaj Glauk Konjufcës lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016, kanë dhënë dëshmitë e tyre Ismet Beqiri dhe deputeti Adem Grabovci.

Të njëjtit ishin dëshmitar të prokurorisë lidhur me këtë rast.

Adem Grabovci deklaroi se në mbledhjen e kryesisë së kuvendit të Kosovës, me datë 10 gusht 2016 kishte pasur hedhje të gazit lotsjellës, për shkak të së cilës ishte ndërprerë mbledhja e kuvendit.

Grabovci tha se nuk e kishte parë që Glauk Konjufca ka hedhur gazin lotsjellës.

“Zotëri prokuror, jo që s’më kujtohet që i pandehuri Glauk Konjufca, por nuk më kujtohet se zotëri Konjufca ka hedhur ndonjëherë gaz lotsjellës, unë po e them ajo që mu më kujtohet, për të tjerët po, mundem me dëshmu, për Albin Kurtin etj”- tha Grabovci

I njëjti tha se nga hedhja e gazit lotsjellës ka qenë e pamundur mbajtja e seancës.

“Kushtet kanë qenë të pamundura për shkak të gazit lotsjellës, që është gjuajtur në sallën e mbledhjeve të kryesisë, siç e dini më së miri e dëshmojnë kamerat” – tha Grabovci.

Grabovci tha se kanë reaguar duke ikur, si të gjithë të tjerët. I njëjti tha se është hera e parë që po jep deklarata lidhur me këtë rast.

Dëshmitar në këtë rast ka qenë edhe ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Ismet Beqiri.

Hera e fundit, kur Konjufca do duhej të paraqitej para Gjykatës ka qenë të premten, më 19 maj 2023, por kjo seancë ishte shtyrë.

Mbrojtja e kryeparlamentarit kishte kërkuar që seanca të shtyhej për një ditë tjetër, me arsyen se Konjufca gjendej jashtë vendit në një udhëtim zyrtar.

Gjithashtu seanca e cila ishte paraparë të mbahej më 13 prill, përsëri e njëjta nuk ishte mbajtur me arsyen se ka angazhime në funksionin që e ushtron.

Sipas aktakuzës të 3 shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në aktakuzë përshkruhet se në seancën e kuvendit të datës 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Gjithashtu më këtë aktakuzë, Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.

Konjufca në gjykatë i akuzuar për gazin lotsjellës, Grabovci dëshmitar