Konjufca tregon pse Kurti nuk u takua me Ramën: Kjo do të rregullohet, ata do takohen së shpejti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është deklaruar në lidhje me takimin që ka zhvilluar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Konjufca u shpreh se kryeministri Rama ishte i shqetësuar sa i përket presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës.

“Kryeministri Rama ishte shumë i shqetësuar sa i përket presionit ndërkombëtar, për këtë që po e përjeton Kosova. Por mua më la përshtypjen që ai po e përjeton presionin më shumë se vetë ne”- tha Konjufca.

Kryeparlamentari tha se Kosova nuk ka probleme shtetërore me Shqipërinë, teksa shtoi se problemi ka ardhur nga Qeveria shqiptare pasi sipas Konjufcës mbledhja e dy qeverive që planifikohej të mbahej në qershor u anulua pa ndonjë arsye madhore.

“Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Më duket se më shumë problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë, Qeveria shqiptare ka pasë problem me Qeverinë e Kosovës sepse pa kurrfarë arsye madhore mendoj unë e anuloi një mbledhje aq të shumëpritur nga qytetarët të Kosovës, atë të dy qeverive”- tha Konjufca.

“Nuk mendoj se ka pasur kurrëfar hatërmbetje nga Kurti. Nuk e përjashtoj [takimin e mundshëm], kafja mund të pihet edhe në orët e vona të mbrëmjes”- shtoi ai.

I pyetur nëse po konfirmon një takim mes Kurtit dhe Ramës, kryetari i Kuvendit mohoi një gjë të tillë teksa u shpreh se ajo se çka ka ndjerë Kosova me anulimin e mbledhjes së dy qeverive ka qenë “lëndim”.

“Nuk po konfirmoj asgjë, vetëm thash që mundësia është gjithmonë aty dhe mendoj se nuk është acarim i raporteve aq sa të mos takohen fare. Ajo se si është ndjerë Kosova është lëndim. Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së dy qeverive por jo aq të lënduar sa mos ta presim fare Ramën sepse ne duhet të shikojmë gjithmonë nga pikëvështrimi i interesit të kombit tonë”- deklaroi Konjufca.

“Natyrisht, kjo do të rregullohet së shpejti, ata do të takohen mendoj së shpejti, nëse jo sonte”- tha mes tjerash ai.

Më tej, Konjufca theksoi se ideja e refuzimit të takimit nga Kurti duhet të respektohet.

“Kjo ka qenë ide e kryeministrit dhe duhet të respektohet. Ndonjëherë kështu funksionojnë marrëdhëniet mes shteteve. Kur ti dëshiron me e përçu një porosi të caktuar që ke qenë i lënduar dhe që kjo nuk është një çështje që duhet të kapërcejë thuajse nuk ka ndodhur asgjë sepse përjetohet si paternalizëm”- ka thënë kryeparlamentari.

Konjufca gjithashtu ka konfirmuar se marrëveshjet mes dy vendeve po nënshkruhen.

“Elementi i sotëm që ka dashtë me përçu Qeveria e Kosovës ka qenë që me e përçu këtë porosi minimaliste sepse ministrat i nënshkruajtën marrëveshjet e tyre, ministrat homologë pra mes Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshjet u nënshkruan, po nënshkruhen ato, janë dakorduar, marrëveshjet i kemi por ishte dëm i madh që nuk u bën në mbledhjen e qeverive. Zotëri Ramën e pritën figurat më të larta shtetërore, po të kishte diçka shtetërore kundër tij, nuk do ta prisnim as ne”- theksoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sot ka vazhduar në Kosovë vizitën e tij zyrtare dyditore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rama sot është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën sipas një komunikate për media, tema të diskutimit kanë qenë samiti i NATO-s, samiti i Procesit të Berlinit, dhe situata aktuale në Kosovë e rajon.

Më pas, në objektin e Kuvendit të Kosovës është parë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili siç mëson KALLXO.com ka zhvilluar një takim veçmas me kryeministrin e Shqipërisë.

Pas këtij takimi, Rama është pritur nga Konjufca.

Mirëpo një konfirmim për takim nga Kurti, Rama nuk e ka pranuar ende publikisht. Rama pas takimit me kryeparlamentarin ka thënë se nuk mund të mbajë konferencë sepse nuk e ka homologun, duke iu referuar kryeministrit Kurti.

Rama gjatë së enjtes ka deklaruar sot se ende shpreson që sot pasdite të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, Kurti në një konferencë për media të mërkurën ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo pasi që mbledhja e planifikuar më 14 qershor në qytetin e Gjakovës ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje” – ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se për këtë mbledhje u patën bërë të gjitha përgatitjet dhe se 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, e të cilat marrëveshje tashmë kanë ngelur në sirtar.

“Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtarë, sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat përfitojnë qytetarët dhe çdo ditë e humbur pa i nënshkruar këto marrëveshje është dëm për qytetarët” – tha ai.

Ndër të tjera ai tha se i ka propozuar Ramës që meqë po vjen në këtë javë të mbajnë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive t’i nënshkruajnë marrëveshjet e planifikuara.

Sot Rama ka njoftuar se i janë dërguar Kosovës 13 marrëveshje të nënshkruara nga pala shqiptare, marrëveshje që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhje të qeverive.

Më 13 qershor, kryeministri Rama kishte thënë se kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës një takim, por në një format më të ngushtë duke përfshirë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes.

“E kam njoftuar Kryeministrin Kurti. Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar, pasi kam folur me Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar nesër në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me Bashkësinë Euroatlantike”- tha ai.

Kryeministri Rama deklaroi se nuk ka pasur një pajtim nga Kurti për ndryshimin e formatit të takimit.

Ai tha se shpreson që kjo të mos jetë përgjigja përfundimtare e kryeministrit Kurti.

Më 7 mars, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz kanë konfirmuar se në kuadër të Procesit të Berlinit, takimi i radhës do të mbahet më 16 tetor të këtij viti.

Kancelari Scholz në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha që për herë të parë punimet e këtij Samiti do të mbahen në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri shqiptar sot ka nisur një tur ballkanik, i cili ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor.

Edi Rama sot në Kosovë, në pritje të konfirmimit për takim me Kurtin