Konjufca takon ambasadoren Tamar Ziv, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Izrael

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë për dy vendet.

Sipas komunikatës për media të Kuvendit, Konjufca e ka uruar ambasadoren Ziv për detyrën duke i dëshiruar suksese.

Konjufca po ashtu, ka vlerësuar jetësimin e misioneve diplomatike si një kapitull të ri me rëndësi të veçantë në avancimin e marrëdhënieve shtetërore, politike dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.

“Ai tutje vuri në pah raportet miqësore mes shqiptarëve dhe hebrenjve përgjatë historisë dhe u shpreh me mirënjohje për kontributin e Shtetit të Izraelit në strehimin e refugjatëve kosovarë të luftës”, thuhet në komunikatë.

Njohja nga Izraeli ka qenë një ndër pikat e marrëveshjes së Uashingtonit më 7 shtator të vitit 2020.

Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parasheh që Kosova të hap ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Kosova dhe Izraeli kanë vendosur raporte diplomatike në shkurt të vitit 2021.

Kosova dhe Izraeli vendosin sot marrëdhëniet diplomatike