Konjufca: Në këtë jubile të krijimit të tij, Kuvendi shënon arritje të konsiderueshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konufca ka uruar 20-të vjetorin e Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Konujufca ka treguar për punën e Kuvendit dhe ka thënë se gjatë këtyre dy dekadave institucioni ligjvënës dhe përfaqësues ka kaluar nëpër sfida të shumta, por edhe se ka marrë vendime jetike për Kosovën dhe popullin e saj.

“Kuvendi ka qenë dhe mbetet institucion aktiv në procesin e integrimeve evropiane të Kosovës. Në kuadër të Kuvendit, vepron një komision i veçantë për procesin e integrimeve evropiane. Kuvendi i zbaton rekomandimet e raportit për vendin të Komisionit Evropian, ka një rol aktiv për zbatimin e MSA-së, duke mbajtur dy herë në vit takime të rregullta në kuadër të Komisionit për MSA-në, si dhe kujdeset që legjislacioni i miratuar të jetë sa më kompatibil me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, ka thënë Konjufca.

Tutje, Kryetari i Kuvendit ka thënë se ndër vite Kuvendi ka ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë me organizata partnere ndërkombëtare, të cilat i kanë dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të proceseve demokratike në vendin tonë.

“Në këtë jubile të krijimit të tij, Kuvendi shënon arritje të konsiderueshme, i përgjegjshëm para interesave të qytetarëve dhe duke ruajtur gjithmonë partneritetin me institucionet dhe me mekanizmat relevantë ndërkombëtarë”, është shprehur Konjufca.

Kuvendi i Kosovës është themeluar më 10 dhjetor 2001.

Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Ka 120 deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë. Njëzet prej 120 vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera: turk, boshnjak, rom, ashkali, goran dhe egjiptian.

Kuvendi ka kuotë gjinore, për të siguruar përfaqësim të grave në radhët e deputetëve, prej të paktën 1/3 së përbërjes së përgjithshme të Kuvendit. Këto dispozita sigurojnë që Kuvendi përfaqëson tërë popullin e Kosovës. Gjatë mandatit të tyre parlamentar, deputetët kryejnë një varg funksionesh. Ata shqyrtojnë dhe miratojnë projektligje dhe vendime, përfaqësojnë dhe mbrojnë të drejtat dhe interesat e qytetarëve, mbikëqyrin punën e qeverisë dhe institucioneve të pavarura, si dhe e miratojnë buxhetin e Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar.