Foto: Kuvendi i Kosovës

Konjufca në Francë për të avokuar për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Europës

Një delegacion i Kosovës në krye me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, po qëndron për vizitë zyrtare në Këshillin e Europës (KE), në Strasburg të Francës.

Sipas njoftimit, delegacioni ishte pjesë e diskutimit në Komitetin e Çështjeve Politike dhe Demokracisë, ku kryetari Konjufca ka prezantuar rastin e Kosovës për anëtarësim.

Ndërsa thuhet se në takim u diskutuan çështje të rëndësishme që afirmojnë të arriturat e Kosovës në vitet e fundit dhe adresojnë rekomandimet nga raporti i Juristëve Eminentë.

“Aplikimi ynë për anëtarësim daton që nga viti 2022. Kosova ka punuar për 16 vjet me instrumentet kyçe të Këshillit të Evropës dhe është tashmë anëtare e plotë e Komisionit të Venedikut dhe Bankës për Zhvillimin e Këshillit të Evropës”- citohet të ketë thënë Konjufca.

Po ashtu ai ka shtuar se që nga viti 2008 Kosova ka dhënë një rang kushtetues dhe ka zbatuar drejtpërdrejt Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Konventën Kornizë për Minoritetet dhe, që nga viti 2020, edhe Konventën e Stambollit.

Në komunikatën e Kuvendit të Kosovës thuhet se në kuadër të qëndrimit në Strasburg delegacioni u takua me personalitete të rëndësishme nga grupe të ndryshme politike, duke përfshirë Béatrice Fresko-Rolfo, raportuesen për Kosovën në Komitetin për Barazi dhe Mosdiskriminim, delegacionin kombëtar të Francës, kryetarin e Grupit ALDE, Iulian Bulai, si dhe deputetë e përfaqësues të pëhershëm të vendeve anëtare.

Në këtë delegacion janë dhe nënkryetarja Saranda Bogujevci, në cilësinë e kryesueses së delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), deputetët Arben Gashi, Enis Kervan, Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, si dhe zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti.