Glauk Konjufca Foto: Kuvendi i Kosoves

Konjufca: Kuvendi i Kosovës model i mirë i pjesëmarrjes së grave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Forumin “Gratë, Paqja dhe Siguria”, i cili nisi sot në Prishtinë me moton “Ndërtimi i aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.

Konjufca në njërin nga panelet e këtij forumi ka folur lidhur me rolin e parlamenteve në përshpejtimin dhe avancimin e agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria.

Kryetari i Kuvendit theksoi se shumica e grave deputete të legjislaturës së fundit kanë fituar mandatin pa kuotë.

“Referuar pjesëmarrjes së grave në nivele lokale, Konjufca tha se për dallim prej nivelit nacional,  ku shumica e grave deputete kanë fituar mandatin pa kuotë, në nivel lokal ekziston një diskrepancë e madhe mes përfaqësimit të grave dhe burrave”- thuhet në komunikatën e kuvendit.

“Kuota gjinore, e cila në fillet e para të aplikimit nuk u vlerësua si mekanizëm që do t’i ndihmonte demokracisë, doli të jetë indikatori kyç që duke siguruar ulëse në parlament të shërbejë si stimulues për vazhdim të pjesëmarrjes së grave në politikë”- theksoi Konjufca.