Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca komenton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale të Serbisë në Kosovë

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve nacionale serbe të 3 prillit në Kosovë, nuk i kontribuon stabilitetit në mënyrën se si janë mbajtur në të kaluarën.

Këtë deklaratë ai e dha në një konferencë për media në Prishtinë, bashkë me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi.

“Unë nuk mendoj që i kontribuojnë stabilitetit në mënyrën qysh janë mbajtur deri tash, në mënyrë ilegale ato kanë qenë në shpërputhje me praktikat ndërkombëtare. Në asnjë shtet një shtet nuk organizon zgjedhje e OSBE i mbledh votat. Në praktikat ndërkombëtare parashihen qartë procedurat. Duke filluar prej referendumit mendoj që edhe zgjedhjet e kanë atë kuptim”, tha ai.

Republika e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, në janar të këtij viti. Kuvendi miratoi rezolutë për këtë çështje.

Referendumi serb kishte të bënte me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati thënë se serbët lokal të Kosovës mund të jenë pjesë e referendumit të Serbisë duke votuar përmes Zyrës ndërlidhëse ose postës.