Konjufca: 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Lufta e Prekazit dhe sakrifica e familjes Jashari është ngjarje e pashembullt.

Sipas tij, një ngjarje të tillë nuk e njeh as historia botërore.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica behët Epope.

“Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharajve është ngjarje e pashembullt jo veç në historinë tonë kombëtare, një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës. Familja e gjerë Jashari, 3 breza në kullën e tyre shekullore, në token e lashtë të stërgjysheve, nga baci Shaban, e deri te Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën deri në vetëflijimin e tyre të plotë”- ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës nga kjo ngjarje, bota u zhvendos nga orbita e saj politike.

“Lufta ishte aq legjendare kurse vetmohimi aq tronditës sa që kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes kurse bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur UÇK u bë frymë dhe e përfshiu gjithë popullin. 5, 6 dhe 7 marsi 1998 është kthesa kur sakrifica behët Epope”- ka thënë Konjufca në seancën solemne të Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë solemne për shënimin e 25 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë seancë solemne është edhe Rifat Jashari dhe familjar të tjerë të familjes Jashari.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 25 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

5, 6, dhe 7 marsi shenojnë përvjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.