(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Konfirmon BE, në takimin e së martës mes kryenegociatorëve do të flitet edhe për dinarin

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka konfirmuar se të martën e javës së ardhshme, më 19.03.2024, do të zhvillohet një takim në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

Stano tha se emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak ka ftuar homologët e tij, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për të vazhduar diskutimet.

“Do të kemi një takim tjetër lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja. Javën tjetër të martën, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët, homologët e tij kryesorë, të vijnë në Bruksel për të vazhduar diskutimet. Pra, para së gjithash, të vazhdohet diskutimi i cili tashmë ka filluar para disa javësh për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin. Dhe do të ketë edhe pika të tjera për të diskutuar mes kryenegociatorëve nga Serbia dhe Kosova në Bruksel, të cilat janë çështjet më urgjente në kuadër të dialogut”- ka deklaruar Stano.

“Siç kemi thënë pas takimit të parë që iu dedikua çështjes së vendimit të BQK-së, janë të nevojshme më shumë diskutime. Ishte një takim i mirë ku palët dërguan ata që i mendonin më të përshtatshëm për të diskutuar për pasojat e vendimit të BQK-së”- shtoi ai.

Zëdhënësi i BE-së kujtoi se në takimin e fundit ka ftuar të dyja palët duke ua lënë në dorë se kë dëshirojnë të dërgojnë si përfaqësues, duke theksuar se vazhdimi i diskutimeve lidhur me dinarin do të jetë nga çështjet e pakta në rendin e ditës, të martën.

“Ishim shumë të qartë se kemi ftuar të dyja palët dhe ua kishim lënë në dorë se kë do të dërgonin për t’u përballur me atë çështje që erdhi si rezultat i mungesës së koordinimit dhe veprimit të njëanshëm që krijoi probleme në dialog. Por, e mira është se ne filluam të merremi me këtë në kuadër të dialogut. Pra, vazhdimi i diskutimeve lidhur me dinarin do të jetë nga çështjet e pakta në rendin e ditës të martën e ardhshme”- theksoi Stano.

Më tej, Stano tha se edhe marrëveshja e Ohrit që është një nga çështjet më të ngutshme, do të preken aspektet individuale të saj, si nga palët, ashtu edhe nga ndërmjetësi.

Më 27.02.2024 shkurt, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismajli dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkovic, u takuan në Bruksel lidhur me vendimin e BQK-së për rregulloren me para të gatshme, por nuk pati rezultat.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se shumë pyetje politike mbeten ende pa përgjigje.