Komunat ankohen për koston për kompensimin e pagave për mësimdhënësit

Ish drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Azemaj, ka thënë se komunat kanë pasur vullnet që të planifikojnë një buxhet të veçantë për kompensimin e pagave për mësimdhënësit, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sipas Kontratës Kolektive të nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, mësimdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë përmes gjykatës kompensime në paga si për shembull kompensim në ushqim dy euro në ditë; paga jubilare çdo 10 vjet; apo përcjellja e shkallës së inflacionit dhe futja e përqindjes në pagë. Por në këtë kontratë thuhet se këto kompensime i paguan punëdhënësi, që në rastin e arsimit parauniversitar pundhënës janë komunat.

Në emisionin KallxoPërnime, Ademaj tha se sipas një analize, Komunës së Pejës i ka kushtuar mesatarisht 45% më shumë shpenzime, se sa borxhi për pagë, për shkak të procedurave nëpër gjykata.

“Komunat kanë pasur vullnet me planifiku buxhetin e veçantë, që të mos ketë ndëshkime për arsye sepse rastet kur iniciohen në gjykatë, ka taksë administrative, ka pjesë të përmbarimit. Sa kam qenë drejtor në Pejë, kam bo disa analiza dhe përshembull i ka kushtuar mesatarisht Komunës së Pejës 45% mbi borxhin bazë. Ka qenë domethënë dëmtim i buxhetit, me 45% për një mësimdhënës. Përshembull borxhi bazë ka qenë 1 mijë euro, pjesa tjetër ka qenë kjo që e përmenda rreth 45% mesatarja për një mësimdhënës, jo vetëm në Komunën e Pejës por në gjitha komunat” – ka thënë Azemaj.

Ai ka thënë se vetëm në vitin 2023 kostoja e vendimeve për kompensime në paga dhe shpenzime të tjera ka qenë rreth 5 milionë euro.

Ndërsa Gani Rama, udhëheqës i sektorit të Financave në Komunën e Gjakovës ka marrë një shembull konkret, ku sipas tij, për kompensim në ushqim në vlerë 40 euro për një arsimtar, buxheti i shtetit dëmtohet rreth 490 euro, për shkak të procedurave të tjera.

“Për ushqim, për 37 e diçka euro ushqim që ka me marrë profesori, 2 euro e 9 cent ka kamatë, shpenzimet procedurale janë 490 e sa euro. Kjo është shkatërrim i buxhetit të shtetit. Sepse ai i merr 40 euro ushqim (kompensim në pagë), por shteti dëmtohet 490 euro. Për atë 40 euro, duhet të paguhet eksperti 150 euro që llogaritë kamatën që thotë se profesori ka të drejtë me marrë kompensimin. Pastaj është fillimi i procedurës, është avokati, gjyqtari, të gjitha këto janë shpenzime. Komuna e Gjakovës deri në muajin e katërt ka paguar mbi 2 milionë euro kamata dhe ndëshkime” – ka thënë Rama.

Në edicionin e së premtes në KallxoPërnime po transmetohet Reportazhin mbi Dyshimet për pensionet.

Si pensionistët ja kanë mësyrë qendrave nëpër komuna me shpresën se kanë me marrë shtesa prej Qeverisë? Çka po ndodhë nëpër këto qendra dhe a janë të informuar pensionistët për çka po aplikojnë?

Çka thotë avokati i angazhuar nga pensionistët për kërkesat e tyre?

Ndërsa në pjesën e dytë të emisionit po transmetohet debati me temë pensionistët dhe problemet e komunave për kompensimin e pagave të mësimdhënësve.

Sa para detyrohen të paguajnë komunat për komensimin e pagave për mësimdhënës? Ku i marrin ato para komunat? Sa po dëmtohet buxheti i shtetit me procedura të panevojshme administrative?