Ilustrim

Komuna e Vushtrrisë e nisë vitin 2022 me sigurim shëndetësor për nxënësit në praktikë profesionale

Së shpejti Komuna e Vushtrrisë do të nënshkruajë kontratë në vlerë mbi 3,700 euro, nëpërmjet së cilës siguron shëndetin e mbi 1,100 nxënësve në rast të lëndimit në praktikë profesionale.

Në mesin e muajit dhjetor, Komuna e Vushtrrisë inicio procedurën e tenderimit për blerjen e shërbimeve të sigurimit shëndetësor për nxënësit gjatë praktikës profesionale.

Shërbimet e sigurimit, blihen për nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike dhe Shkollës së Mesme Profesionale të kësaj komune.

Në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë thuhet se shërbimet e sigurimit të nxënësve gjatë praktikës profesionale, ku siguruesi do të paguajë edhe për invaliditetin total apo të pjesshëm sipas shkallës së humbjes fizike apo pakësimit të funksionalitetit të organit të dëmtuar.

Kontrata është kornizë me një operator ekonomik, për kohëzgjatjen e periudhës prej 6 muaj.

Implementimi i kontratës kornizë do të bëhet sipas porosive të lëshuara nga menaxheri i kontratës.

Shërbimet e sigurimeve shëndetësore do të ofrohen për 680 nxënës për muaj për Shkollën e Mesme Profesionale “Bahri Haxha” si dhe 430 nxënës për muaj të Shkollës së Mesme Teknike “Lutfi Musiqi”.

Komuna kishte zotuar mjete deri 3,885 euro për këtë tender.

Përmes platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë “e-prokurim”, komuna njoftoi se sot ka rekomanduar për kontratë kompaninë “ILLYRIA” SH.A, me vlerë të përgjithshme të kontratës 3,796.20 euro.

Sigurime shëndetësore për nxënësit të shkollave teknike e profesionale, Komuna e Vushtrrisë kishte realizuar edhe në të kaluarën.

Për sigurim shëndetësor të 1 mijë e 100 nxënësve, ish-kryetari Xhafer Tahiri kishte treguar se Komuna e Vushtrrisë është komuna e parë e cila ka bërë sigurim shëndetësor për nxënës.

“Vushtrria bëhet Komuna e parë që siguron nxënësit e shkollave profesionale përgjatë mësimit në punë/praktikës profesionale. Kjo politikë e re në arsim ka për qëllim avancimin e arsimit profesional dhe më e rëndësishmja afrimin e nxënësit me punëdhënësin. Por shëndeti i të rinjve mbi të gjitha”, citohet të ketë shkruar Tahiri në facebook.

Nga data 6 dhjetor 2021, Komuna e Vushtrrisë udhëhiqet nga kryetari Ferit Idrizi kur edhe pranoi zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij Xhafer Tahiri.

Ferit Idrizi nga PDK fitoi Vushtrrinë në rundin e dytë të zgjedhjeve në balotazh me Xhafer Tahirin nga LDK.