Shkolla fillore "Iliria" në Prishtinë, Foto: Lekë Rizvanolli/ KALLXO.com

Dyshime për një inicident me thikë në shkollën “Iliria” në Prishtinë, Policia po e heton rastin

Një incident mes nxënësve të shkollës fillore “Iliria” në Prishtinë dyshohet se ka ndodhur sot më 21.03.2024.

Sipas drejtorisë së shkollës, një grup i nxënësve të kësaj shkolle pasi e kanë përfunduar procesin mësimor dhe janë përcjellë për të shkuar në shtëpi, janë kthyer në oborrin e shkollës “Iliria”, ku po mbanin orën e edukatës fizike nxënësit e një klase tjetër.

Njëri nxënës i këtij grupi dyshohet se ka pasur një thikë dhe atë ua ka treguar dy nxënësve të klasës tjetër.

Në anën tjetër, Policia e ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti është raportuar më 21.03.2024.

Drejtoresha e shkollës “Iliria”, Drita Marmullaku-Nishevci në një deklarim për KALLXO.com ka shpjeguar se si ka ardhur deri te ky incident mes nxënësve, i cili ka ndodhur përderisa mbahej ora e edukatës fizike.

“Një grup i nxënësve, pesë nxënës, është kry procesi mësimor dhe nxënësit janë përcjellë me shku në shtëpi në ndërkohë mësuesja ka qenë duke e zhvillu orën e edukatës fizike në pjesën e jashtme të shkollës (oborr), të cilën e posedojmë, dhe e ka përfundu orën dhe mësuesja i ka përcjellë nxënësit e vet. Ndërkohë mësuesja e vëren një shqetësim te dy nxënës të saj” – ka thënë Marmullaku-Nishevci.

Sipas drejtoreshës, mësuesja e klasës që mbanin edukatën fizike në oborrin e shkollës nuk e ka parë këtë ngjarje, por ajo është njoftuar nga njëri nxënës i cili Marmullaku-Nishevci thotë se ka qenë i shqetësuar.

“Do të thotë ky grup i fëmijëve iu kanë afru atyne dy nxënësve dhe nxënësit janë shqetësu. Njëri nxënës e ka nxjerrë thikën dhe ia ka tregu, tash çka kanë biseduMësuesja nuk e ka pa, se nxënësi e ka njoftu mësuesen: “’Mësuese ma tregoi (thikën)’. Dhe menjëherë e ka njoftu prindin dhe menjëherë jemi njoftu ne si shkollë me organet e Policisë” – ka deklaruar Marmullaku-Nishevci.

Drita Marmullaku-Nishevci thotë se e kanë njoftuar prindin e nxënësit që dyshohet se e ka pasur thikën, dhe ai ka shkuar në shkollë.

“Dëgjom. Ai e ka kry procesin mësimor. Ne e thirrëm prindin, prindi së bashku me fëmijën e vet dhe së bashku me katër fëmijë të tjerë kanë ardhë dhe fëmijët e treguan realitetin. Ai fëmijë, i cili e ka pasë (thikën) organet e Policisë kontaktuan me të dhe u dakorduan që fëmija së bashku me prindin le të shkon te dy zyrtarët e Policisë në zyrat e tyre dhe të shqyrtohet rasti, pse e ka pasë, qysh e ka pasë, ku e ka marrë” – ka shtuar Marmullaku-Nishevci.

KALLXO.com ka parë se shkolla posedon kamera të sigurisë funksionale, e drejtoresha e shkollës tha se nuk i ka parë ende pamjet e incidentit në këto kamera pasi nga ora 12:00 është marrë me prindërit e fëmijëve të përfshirë në këtë rast.

“Po, janë edhe jashtë. Mirëpo për kamerat e sigurisë do t’i thërrasim organet e Policisë, do të ulemi bashkërisht t’i shikojna. Nuk i kam pa, për arsye të rastit që ka ndodhë në ora 12:00, prej orës 12:00 jam duke u marrë me takimin e prindërve” – ka thënë ajo.

Se çfarë masa mund të merren ndaj nxënësve të përfshirë në këtë incident, Marmullaku-Nishevci tha se do të këshillohen me të gjitha këshillet e shkollës, ku bëjnë pjesë edhe prindërit.

“Do të bisedojmë me prindër, do të këshillohem me secilin. Por e kemi edhe Këshillin e Komisionit disiplinor të cilin e parasheh rregullorja e shkollës dhe të shohim se çfarë masa do të merren ndaj nxënësit i cili ka vepru, mirëpo edhe ndaj nxënësve të cilët kanë qenë në atë grup” – tha ajo.

KALLXO.com ka tentuar të marrë qëndrimin e prindërve të nxënësve që kanë qenë pjesë e këtij incidenti, mirëpo ata nuk kanë pranuar të flasin.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë, ka njoftuar për KALLXO.com se rasti është raportuar më 21.03.2024 rreth orës 12:20.

“Sot (21.03.2024) rreth orës 12:20 është raportuar për një kanosje me thikë në një shkollë në Prishtinë. Njësitet përkatëse policore në koordinim me Prokurorinë dhe Qendrën për Punë Sociale janë duke e trajtuar rastin” – është përgjigjur Ahmeti.

Po ashtu, KALLXO.com e ka pyetur Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjeve.