FOTO: Ilustrim

Komuna e Mitrovicës merr vendim për ndaljen e punës së taksive

Sot komuna e Mitrovicës ka marrë një vendim me anë të së cilit ka ndalur punën e të gjitha llojeve të taksive duke përfshirë edhe ato të kompanive private.

Ky vendim, sipas kryetarit të komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, është marrë si masë kujdesi për qytetarët e Mitrovicës, pas situatës së krijuar në Kosovë për shkak të pandemisë COVID 19.

Bahtiri për KALLXO.com ka thënë se pas takimit që ka pasur me drejtorët e kompanive të taksistëve kanë gjetur mirëkuptim për ndalimin e tyre.

“Sot kemi pasur takim me drejtorët e kompanive të taksistëve e kemi shqyrtuar problematikën, duke e ditur që stafi i tyre është i rrezikuar por edhe qytetarët të cilët barten me taksi dhe aty mund të hyjnë deri në pesë persona ne menduam që është e rrezikshme dhe e gjetëm një rrugë që të ndalen”, tha Bahtiri.

Tutje Bahtiri ka sqaruar se kompanitë e taksive kanë shprehur gatishmërinë që varësisht prej nevoje të bartin pa pagesë personat me vështirësi ekonomike.

“Komplet taksitë në Mitrovicë nuk do të punojnë për arsye se ne do të marrim të gjitha masat e mundshme, dhe mendoj se kjo masë është në interes të qytetarëve. Me të vërtet taksitë janë të rrezikuar edhe ata që barten edhe pjesa tjetër të cilët udhëtojnë dhe janë në kontakt, aty mund të lëviz secilin njeri edhe i infektuar edhe i painfektuar “, tha Bahtiri për Kallxo.

Në Kosovë tashmë janë identifikuar 13 të infektuar me këtë virus  që vijnë nga komuna e Malishevës, Vitisë, Klinës dhe Podujevës. Këto katër komuna janë izoluar. Coronavirusi tashmë ka prekur më shumë se 168 mijë njerëz në botë dhe mbi 6 mijë e 500 persona kanë vdekur.