Komandanti i policisë në Lipjan për KALLXO.com, nuk ka pasur raste që u raportuan nga viktima gjatë kohës së urdhërmbrojtjes

Gjykata Themelore në Ferizaj ka thënë për KALLXO.com sot se urdhëri mbrojtës i lëshuar për gruan e vrarë mbrëmë është dërguar në Stacionin Policor në Lipjan me qenëse viktima kishte vendosur të jetoj aty.

KALLXO.com ka kontaktuar me komandantin e Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinani, i cili shkurt pranoi që kanë pasur vendimin për urdhër mbrojtje.

“Nuk ka pasur raste që janë raportuar nga viktima për ndonjë rast tjetër gjatë kohës sa kemi pranuar urdhërin mbrojtës. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet”- tha shkurt Sinani, i cili shtoi se për çdo informacion tjetër duhet të drejtohemi në zyrën për informim në Prishtinë.

Sipas Gjykatës Themelore të Ferizajt, Stacioni Policor në Lipjan kishte pranuar dokumentin e urdhërit mbrojtës për gruan shtatzënë e cila u vra në oborrin e QKUK-së.

Ky urdhër mbrojtës kishte vlefshmëri deri në mars të vitit 2023.

Tri gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes nga ekipet e hetuesisë së Policisë së Kosovës ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se pas rastit për dhunë në familje që është raportuar nga viktima në korrik të këtij viti, në shtator Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ka paraqitur kërkesë për mbrojtjen e viktimës.

Kërkesa sipas gjykatës është bërë saktësisht më 8 shtator të këtij viti.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”- thuhet tutje në përgjigjet e Gjykatës.

Gjykata në Ferizaj ka njoftuar se vendimi i është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira siç janë mbrojtësit të të akuzuarit, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan, i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës.

35-vjeçarja që ishte në përfundim të shtatzënisë dhe ishte shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë gati për të lindur, në korrik kishte raportuar bashkëshortin e saj në polici për dhunë në familje.

Drejtori i Policisë në Ferizaj, Basri Shabani, në një bisedë me KALLXO.com dje e ka konfirmuar se viktima në rastin e raportimit të dhunës nuk kishte pranuar që të shkojë në strehimore por kishte zgjedhur që të shkoj te një familjar i saj në një komunë tjetër, përkatësisht në Lipjan.

Prokurori kishte vendosur ta hetonte në procedurë të rregullt të dyshuarin për vrasjen e mbrëmshme kur ishte raportuar për dhunë në familje muaj më parë

KALLXO.com raportoi sot se i dyshuari për vrasjen e saj, bashkëshorti i viktimës ishte dënuar në shtator të këtij viti për armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për KALLXO.com se i dyshuari, më 23 shtator të këtij viti me një aktgjykim është shpallur fajtor për mbajtje në pronësi të armës pa leje dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi me gjobë.

Vepra penale e armëmbajtjes pa leje është e dënueshme deri në 5 vjet burgim e cila mund të konvertohet edhe me gjobë maksimalisht deri në 7 mijë e 500 euro.

Tutje sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, një tjetër rast i evidentuar për të dyshuarin S.H., është edhe ai i dhunës në familje, i cili ishte raportuar në korrik të këtij viti në polici.

Më datë 10 gusht të këtij viti, Prokuroria në Ferizaj ka ngritur aktakuzën për të dyshuarin për veprën penale të kanosjes më saktësisht neni 181 i Kodit Penal i lidhur me paragrafin 4 të këtij neni i cili thotë se “Kushdo që kryen vepër penale nga ky nen ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”.

Sipas përgjigjeve të Gjykatës në Ferizaj, i pandehuri në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 7 shtator nuk e kishte pranuar fajësinë në lidhje me veprën për të cilën ishte ngritur aktakuza.

“Mbrojtësi i të pandehurit S.H. më datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata më datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Ferizaj për KALLXO.com.

Mbrëmë një grua shtatzënë u vra në oborrin e QKUK-së në Prishtinë.

I dyshuari ende nuk është arrestuar dhe gjendet në arrati.

Urdhri mbrojtës për gruan e vrarë në oborrin e QKUK-së vlente deri në mars të vitit 2023