
Tërhiqet trupi i pajetë i Sokol Halilit nga vendi i ngjarjes
Sokol Halili, i dyshuari për vrasjen e gruas së tij Hamide Magashi, ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e familjes së tij.
Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, ka thënë për KALLXO.com se trupi i pajetë është tërhequr menjëherë nga vendi i ngjarjes.
“Trupi i viktimës është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare. Ekipi mjekësor ka konstatuart vdekjen e tij” – ka thënë Jashari nga vendi i ngjarjes.
Sokol Halili kishte më shumë se 40 orë që po kërkohej nga organet e rendit në lidhje me vrasjen që ndodhi në orët e para të mbrëmjes së 30 nëntorit, para QKUK-së.
Halili dyshohej se kreu vrasjen e gruas së tij e cila ishte edhe shtatzënë.
Ajo është varrosur gjatë ditës së sotme në Lipjan.
KALLXO.com raportoi se fillimisht ishte lokalizuar vendndodhja e Halilit, që ishte shtëpia e familjes së tij në Komunën e Shtimes. Pas lokalizimit të vendit, policia ka nisur negociatat për dorëzim me babanë e të dyshuarit dhe të dyshuarin.
Sipas informacioneve, ai në prezencë të policisë ka kryer aktin e vetëvrasjes.